Policia e Shijakut ka arrestuar mëngjesin e sotëm një 52-vjecar, pasi është kapur duke lëvizur me një kallash me fishekë me vete. Nuk dihet ende nëse personi i arrestuar ka lidhje me sulmin me kallash ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala, por policia po kryen verifikimet.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë organizuar shërbimet policore duke arrestuar në flagrancë shtetasin: Artur Hushi 52 vjeç, banues në Shijak.
A.Hushi, në rrugën automobilistike Shijak – Maminaz, në orët e para të mëngjesit të sotëm është kapur në flagrancë me një armë zjarri automatik model PPS dhe një karikator me 35 fishekë model 54, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake ” parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal.