Atentati që iu krye 38-vjeçarit nga Fieri, Ervin Memo më 21 prill të këtij viti është një nga ngjarjet më të rënda që policia e ka pasur të vështirë ta zbardhë. Në këtë shpërthim me eksploziv, Memo u plagos rëndë, por arriti të mbijetonte.
Së fundmi ekspertiza ka arritur të zbardhë mënyrën se si u krye shpërthimi në makinën e tij. Sipas ekspertizës, sasia e lëndës eksplozive që shpërtheu në makinë dyshohet se ka qenë e vendosur në kroskot, në anën e djathtë të tij.
Ekspertët kriminalistikë, pas ekspertimit të imtësishëm që i është kryer automjetit tip Benz me targa AA 270 IV të shkatërruar thuajse krejtësisht si pasojë e shpërthimit, kanë konkluduar se lënda plasëse gjendej në kroskot, nga ana e pasagjerit dhe se është aktivizuar me anë të një thirrje telefonike.
Tanimë, hetuesit po punojnë për të verifikuar numrin e celularit prej nga u krye thirrja duke aktivizuar eksplozivin.
Ka qenë vendndodhja e lëndës plasëse që ka sjellë si pasojë shkatërrimin e plotë të makinës nga njëra anë dhe shpëtimin e jetës së 38 vjeçarit Ervin Memo, i cili doli me këmbët e tij nga autovetura që u dogj e gjitha në flakë. Mësohet se ekspertët kanë konkluduar që presioni i krijuar nga shpërthimi i eksplozivit të jetë përqendruar në drejtim të ndenjëses së pasagjerit. Ndërsa 38-vjeçari Evrin Memo gjendej në ndenjësen e drejtuesit të mjetit duke marrë kështu goditje që i sollën vetëm dëmtime në lëkurë por pa pasoja të rënda për jetën.
Pavarësisht se hetuesit sekuestruan pamjet filmike të kamerave të sigurisë që gjendeshin në objektet pranë vendit të ngjarjes, ka qenë e pamundur të identifikohet ndonjë person i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në makinën e 38-vjeçarit. Kjo, pasi mjeti ka qenë i parkuar në njëjtin vend për një kohë të gjatë.
Edhe pse po hetohet në disa pista, ende nuk është përcaktuar se si është arritur të vendoset lënda plasëse brenda makinës dhe nga kush, ndërkohë që vetë 38-vjeçari Ervin Memo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka asnjë lloj konflikti tjetër veç konflikteve për pronat. E vështirë mbetet gjendja e autorëve pasi Mema nuk ka etiketuar ndonjë person të përveçëm./shqip