Sa herë që “tingëllojnë” prangat për njerëzit e fuqishëm të politikës shqiptare, menjëherë sulmohet institucioni dhe personi që e drejton, të cilët do të zbatojnë drejtësinë e re.
Kështu ka ndodhur sa herë që Ilir Meta dhe Monika kërcënohen nga burgu, për shkak të zullumeve të shumta që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve, menjëherë del dikush nga LSI dhe sulmon Prokurorinë dhe kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku.
Dhe akuzat ndaj saj nuk kanë qënë të thjeshta, as parimore por janë artikuluar me një fjalor banal, të ultë dhe aspak etik nga ana e numrit dy të LSI Petrit Vasili, njeriu që është caktuar për të bërë “zarin” e Metës dhe Monikës në këto raste.
Vetëm dy ditë kanë duruar Meta dhe Monika pas mesazhit të ambasadorit në largim të SHBA në Tiranë Donald Lu, i cili sërish nënvizoi se politika duhet të ketë frikë nga drejtësia e re.
Pikërisht kundër kësaj drejtësie të re kanë reaguar fort Meta me Monikën, duke e cilësuar atë një drejtësi horrash, të njëanshme dhe më e poshtra e tërë këtyre viteve.
Dhe Vasili e ka argumentuar akuzën e tij me sjelljen e kryeprokurores Arta Marku ndaj denoncimit të opozitës për videopërgjimin e “Babales”, të cilin dhe nga vetë autorët që e sajuan e kanë pranuar se kanë bërë një manipulim të trashë.
Por Meta dhe Monika janë trembur me të vërtetë nga prangat që mund t’u vihen në duar për shkak të hapjes së dosjeve të mëdha, sikurse ka paralajmëruar dhe “Pamfleti” për këtë vjeshtë.
Njëherësh familja presidento-opozitare me shumë vila dhe mbi 4 miliardë euro pasuri, është trembur dhe nga fakti se SHBA ka dhënë dakordësinë për nismën ligjore që i jep plotfuqishmëri Prokurores së Përgjithshme të përkohëshme Arta Marku që të ketë “tagrin” e arrestimit të “peshqve të mëdhenj”. Plotfuqishmëri kjo që shkon për kryeprokuroren deri në momentin kur të ngrihen zyrtarisht SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, proces që mendohet të shkojë gjatë.
Pikërisht për shkak të këtij atributi që Parlamenti pritet t’i japë Arta Markut për të hetuar dhe dërguar për burg personazhet VIP të krimit dhe të abuzimit me pushtetin ka trembur Metën dhe Monikën që të shpërthejnë në një fjalor banal kundër Kryeprokurores dhe drejtësisë së re.
“Drejtësi horrash: Arta Marku fle mbi padinë ndaj kryeministrit për audiopërgjimin. Në Shqipëri mbretëron drejtësia e horrave.
Batakçiu, që drejton qeverinë thërret e bërtet si histerik për të ashtuquajturën, drejtësinë e re që po ngrihet dhe po ngre vetë ai. Po cila drejtësi e re po ngrihet?
Ajo më e poshtra. Ajo më e liga. Ajo më e njëanshmja. Ajo që mbron kryeministrin dhe burgos njeriun e thjeshtë për 30 mijë lekë korrent të papaguar.
Drejtësia e re apo ndryshe drejtësia e horrave fle mbi dosjen e kryeministrit të paditur si kryemashtrues shtetëror për audiopërgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm.
Arta Marku është përbetuar me sa duket që veprat penale të kryeministrit t’i marrë përsipër dhe ti vuajë vetë. Aferim…
Për opinionin dhe jo për Arta Markun po ju sjell përsëri deklaratën mashtruese të kryeministrit për ekspertizën e audiopërgjimit, ja çfarë thoshtë që më 19 maj:
“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore, të kryer në një nga laboratorët më seriozë të botës.
Nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për ministrin e Brendshëm, por përpara një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik”, tha Rama gjatë mbledhjes së grupit më 19 maj.
Sot e kësaj dite qytetarët e dinë që s’ka një ekspertizë, ndërkohë që kryemashtruesi gjoja e kishte bërë që në 19 maj dhe megjithatë nuk i hyn një gjëmb në kembë dhe prokurorja rri e vështron.
Drejtësia, që mbyll sytë dhe veshët përpara fajit sa një mal është përfundimisht:
një Drejtësi Horrash”, reagon Vasili në rrjetin social.
Ky është një qëndrim i dhënë nga ana e LSI në panik të madh, për shkak se kupola drejtuese e saj po rrezikon rëndë burgun./Pamfleti