Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi deklaroi sot gjatë këtij viti janë shtuar 43 struktura të agro-turizimit në të gjithë vendin.
Në fjalën e tij gjatë një aktiviteti të zhvilluar sot në Gjirin e Lalzit në Durrës ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Peleshi theksoi se “nga viti 2012 deri në 2017 hapeshin nga 2-10 maksimumi struktura të quajtura agro-turistike, sepse në atë kohë nuk ka ekzistuar një standard i mirëfilltë si sot për agro-turizmin. Ndërsa këtë vit nga 10 që ishte mesatarja deri tani janë shtuar 43 struktura të agro-turizmit”.
“Pra, është katërfishuar numri, kur sapo kemi miratuar një paketë fiskale shumë agresive për agroturizmin kemi çuar TVSH-në , kemi bërë zero taksën në ndikimin në infrastrukturë dhe nga 15 e kemi çuar në 5% tatim fitimin, apo tatimin mbi fitimin e kompanisë”, nënvizoi Peleshi.
Sipas tij, trendi që krijoi Qeveria ka rritur interesin në agro-turizëm.
Sa më shumë agro-turizëm, vijoi ai, do të thotë më shumë ekonomi më shumë hapësirë për të tregtuar edhe prodhimet tona bujqësore, të cilat nuk mund të shiten në ato pak pika grumbullimi që kemi në gjithë Shqipërinë, që mbledhin mallin e shumicës.
Ai tha se duhet të krijojmë edhe një kanal perfekt ku shitet edhe prodhimi i pakët, por me çmim me vlerë të shtuar, si është është agroturizimi.
Duke folur për sezonin turistik të këtij viti, ministri Peleshi tha se “ky ishte një vit kulmor është rritur shumë numri i turistëve këtë vit. E rëndësishme për ne është të mos shesim vetëm atë bukuri që na ka dhënë natyra, të mos i gëzohemi turizmit të 2 apo 3 muajve të sezonit të verës, por ta shtrijmë turizmin gjatë gjithë vitit”.
Peleshi theksoi se “ambicia dhe qasja jonë janë për ta shtrirë turizmin në 12 muaj të vitit. Një gjetje besojmë se është agroturizmi , i cili është një mundësi e shkëlqyer edhe për të zhvilluar turizëm alternativ të kombinuar me bujqësinë , prodhimet tipike ,artizanale shijen e ushqimeve tona me turizmin masiv, që është ai bregdetar, por edhe turizme të tjera që janë në një trend rritës siç është turizmi i natyrës, i aventurës etj”.
“Ne kemi marrë disa masa këtë vit për agro-turizmin por gjëja më e mirë është që kemi vendosur në fjalorin e politikës dhe qeverisë nga kryeministri deri tek të gjithë përfaqësuesit politikë, fjalën agroturizëm dhe promovimin e këtij sektori të ri të biznesit”, përfundoi Peleshi./atsh