Edi Rama përmes bashkëshortes së tij Linda Rama ka futur “duart” dhe në sistemin bankar, përmes “Abi Bank” që është pronë e familjes së tij. Dhe kjo bankë e nivelit të dytë, jo vetëm që po përpiqet të shkatërrojë tregun bankar në favorin e saj, por dhe po shtrin dominimin dhe në pushtetin qëndror dhe atë vendor.
Nuk po përmendim akuzat e Berishës për pastrim parash. Rasti më konkret është bashkia e Tiranës, ku pavarësisht mungesës së dëshirës ndoshta,
Erion Veliaj është i detyruar të mos lëvizë nga linja në shërbim të kryeministrit dhe familjes së tij. Fundja nga Edi Rama e ka pasur gjithnjë mbështetjen për karrierën politike, pasi e mbështeti tek “Mjaft” dhe më pas nga G99 e katapultoi në kryesinë e PS, në qeveri dhe tashmë në krye të bashkisë së Tiranës.
Veprim ky që jo pak ka ngjallur xhelozi dhe mëri tek garda e vjetër e PS por dhe tek “delfinët” e rinj të kësaj partie, që e shohin veten në fund të preferencave të kryetarit.
Dhe për të mbërritur tek fakti konkret, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka firmosur kundër një kërkese të kompanisë ‘Empire Investment Solutions’, që zotëron truallin ku ndodhet Universiteti Europian i Tiranës, për një godinë shtesë për institucionin arsimor në pronësi të Henri Çilit.
Mësohet se leja e zhvillimit nga firma kërkohet për ‘rikonstruksion të godinës D, ambientet e Laborantëve të Universitetit dhe shtesë kati”. Ambienti ndodhet pas UET të Çilit dhe është një ndërtesë e vjetër që përdoret rëndom si magazinë.
Marrja e kësaj leje nga ana e firmës dhe rikonstruksioni i godinës do t’i mundësonte UET zgjerimin me një godinë të tretë për të zhvilluar aktivitetet universitare. Pasi mësohet se drejtuesit e Universitetit kanë vendosur të zgjerojnë aktivitetin akademik dhe me disa fakultete të tjera.
Por arsyetimi i kryetarit të Bashkisë në përgjigjen negative të kthyer për drejtuesit e UET është se nuk mundet të jepet leja pa u hartuar PDV-ja ose Plani i Detajuar Vendor.
Rrëzimi i kërkesës për rikonstruksionin e godinës që do të shërbente më pas dhe si ambient për zgjerimin e UET nuk ka ardhur thjeshtë dhe vetëm si pasojë e një acarimi të marrëdhënieve mes Henri Çilit dhe Erion Veliajt.
Në vigjilje të përzgjedhjes së kandidaturave për krerët e bashkive dhe në rastin konkret dhe për Tiranën mediat e Çilit por dhe vetë ai kanë lënë për të kuptuar se një zgjedhje tjetër për kryeqytetin nga Rama do të ishte më efikase.
Por përplasja është akoma më e thellë, dhe nuk ka treguar asgjë me atë çfarë ka dalë në sipërfaqe.
Më konkretisht, UET është në vështirësi të thellë financiare dhe është një bankë e nivelit të dytë ajo që zotëron “kartonin” e tij. Banka Credins është ajo që kontrollon universitetin UET të Çilit pas vështirësive financiare dhe lëkundjeve të forta financiare që ka disa vite që ka shfaqur. Vështirësi që kanë ardhur dhe për shkak të disa investimeve të pagoditura dhe jodobiprurëse, por që kanë shkundur financat e UET.
Burime të “Pamfleti” saktësojnë se dhe për shkak rivaliteti bankar, kreu i Bashkisë së Tiranës po mbështet në këtë rast bankën “Abi Bank” të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Rama.
Me sa duket Erion Veliaj kërkon të mos ketë asnjë mëdyshje dhe pengesë në përzgjedhjen e tij si kandidat për një mandat të dytë në bashkinë e Tiranës por dhe për karrierën politike përtej bashkisë. Për këtë arësye zgjedh të dëmtojë rivalin bankar të bashkëshortes së kryeministrit./Pamfleti