Të moshuarit e Qendrës Polivalente në Poliçan përfituan vizita të specializuara dhe syze falas, të përshtatura sipas nevojës, në kuadër të programit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ofrimin e shërbimit të plotë okulistik pa pagesë në Shtëpitë e të Moshuarve në të gjithë vendin.
Rreth 40 të moshuar në Qendrën e Poliçanit përfituan këtë shërbim, mes tyre edhe çifti i të moshuarve nga Korça, i cili pak kohë më parë u braktis nga fëmijët. Me Qendrën Polivalente të Poliçanit, përmbyllet faza e parë e programit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të garantuar në çdo Shtëpi të të Moshuarve shërbimin okulistik dhe syzet falas.
Në fillim të muajit Korrik, kjo nismë e Ministres Manastirliu filloi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku 50 të moshuar kryen vizitat e specializuara dhe u pajisën me syze falas, sipas nevojës.
Më pas, nisma vijoi në të gjithë institucionet rezidenciale për të moshuarit, në Kavajë, Fier, Gjirokastër, Shkodër, për t’u përmbyllur në Poliçan. 251 të moshuar që banojnë në këto institucione përfituan pa pagesë këtë shërbim kaq të nevojshëm për moshën e tretë. /atsh