Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë prezantimit të raportit të institucionit ‘’Hidra’’ i realizuar për periudhën Prill-Maj 2018 u shpreh se akuzat e politikës ndaj policisë u shërbejnë kriminelëve.
Ndër të tjera ministri Xhafaj tha se tregon që “besimi i qytetarëve te policia është rritur ndjeshëm në këtë periudhë”.
“Sondazhet tregojnë se rreth 63% e qytetarëve kanë besim tek policia dhe vlerësojnë punën e saj. Për mua është mëse e mjaftueshme që qytetarët i besojnë policisë dhe është inkurajim për të ecur përpara me vullnet. Politika ka interesa të ngushta lidhur me punën e policisë, i komenton sipas interesit politik.
Ky lloj debati degradon në shpifje. Është e rëndësishme që gjykimi duhet të konsiderohet nga rezultatet e punës. Një tregues tjetër që ka vullnet. Si Ministër i Brendshëm bashkë me ekipin tim jemi të angazhuar. Kjo politikë me papërgjegjshmëri sulmon policinë, edhe kur rezultatet e operacioneve janë të mëdha. Politika e pozicionuar kundër qeverisë duhet të vlerësojë punën e policisë. Akuzat dhe kundër akuzat janë kundër produktive.”- tha Xhafaj.
Xhafaj tha se është hartuar një Plan me objektivat deri në qershor 2019, me qëllim përmbushjen e objektivave për integrimin. Drafti është në punim e sipër dhe do bëhet më i plotë, shtoi ai.