Loading...

Xhafaj në samitin e Londrës: Lufta kundër krimit të organizuar, prioritet

Lufta kundër krimit të organizuar është  prioritet thelbësor i Shqipërisë. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në Londër, ku mori pjesë në samitin për Ballkanin Perëndimor. Në këtë samit u mbajt një takim i parë i ministrave të Brendshëm, të vendeve pjesëmarrëse të ‘Procesit të Berlinit’ dhe Bullgarisë.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj vlerësoi organizimin e Samitit, si një mundësi për të diskutuar dhe dakordësuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria, e konsideron luftën kundër krimit të organizuar si prioritet thelbësor dhe për këtë është duke ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale, e mishëruar në një Task Force Speciale, (e ngjashme me modelin ‘Table Mate’ në Mbretërinë e Bashkuar), e cila bën bashkë të gjitha agjencitë relevante brenda vendit, të ngarkuara me përgjegjësi ligjore në këtë drejtim”, – theksoi Xhafaj. E parë në kontekstin e mësipërm, ai nënvizoi se Shqipëria është duke thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, britanikë, gjermanë, italianë, austriakë dhe agjencitë ligjzbatuese të këtyre vendeve.

Ministri i Brendshëm evidentoi gjatë fjalës në Samit, rezultatet e Task Forcës Speciale për identifikimin dhe arrestimin e një sërë grupesh kriminale me rrezikshmëri të lartë, përfshi edhe hetimin e aseteve të tyre.

Një tjetër prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme është lufta kundër terrorizmit, e këtu sipas Xhafajt, Shqipëria është kontributore e palodhshme në përpjekjet globale për parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit.

Ministri i Brendshëm risolli në vëmendjen e ministrave të Brendshëm propozimin për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, bërë më herët në takimin e Triestes vitin e kaluar.

Ai shtoi se forcimi i sigurisë në Ballkan kërkon padyshim vijimin pa hezitim të procesit të integrimit Europian.

“Unë besoj se kjo është në interes të rajonit dhe i shërben më së miri interesave që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian. Nuk mund të ketë Europë të fortë në përballimin e sfidave të sigurisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit, pa Ballkanin e përfshirë në proceset integruese”, – tha ministri Xhafaj.

Në fund të punimeve të Samitit të Londrës, palët pjesëmarrëse miratuan një deklaratë, në krye të së cilës ishte angazhimi për përballjen e përbashkët me kërcënime të sigurisë, përfshirë krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin dhe financimin e terrorizmit, korrupsionin, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve dhe drogave si dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike.

Ministrat e Brendshëm pranuan se këto kërcënime janë transnacionale dhe kërkohet thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe ngritjen e nivelit të reagimit kolektiv.

Në deklaratë pranohet progresi i bërë në forcimin e kësaj përgjigjeje të përbashkët dhe u sigurua përkrahje e iniciativave për sigurinë dhe migracionin. Palët dakordësuan bashkëpunimin midis institucioneve të zbatimit të ligjit në fushën e shkëmbimit të informacionit.

Ministri Xhafaj pati takime me homologë të vendeve të rajonit gjatë punimeve të Samitit, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Varshavë. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com