Ditën e sotme Kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet në Korçë ku po zhvillon turin e llogaridhënies me qytetarët. Gjatë fjalës së tij ai ka folur edhe për vrasjen e gardistit 31-vjeçar Shkëlzen Qordja mëngjesin e djeshëm.
Rama tha se këto akuza në një tragjedi të tillë, tregojnë nivelin e ulët të sulmeve politike.
“Ngushëllime të ndjera për gardistin që u nda nga jeta pasi mori një vendim ekstrem dhe befasues për të gjithë ne.
Dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën e keqardhjes për faktin se përtej tragjedisë dhe dhimbjes së një familjeje për djalin, ata nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike, për të njëjtat arsye të mosarsyes që po dërrmojnë politikën tonë.
Agresioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta, përfshirja e tij në një skenar fantazie makabër për të goditur ministrin e brendshëm nuk ka fjalë për të komentuar. Është e neveritshme, e turpshme. Sot kemi një opozitë, pa fe dhe pa atdhe.”, deklaroi Rama