Kompania e telefonisë celulare “Vodafone” Albania, së fundmi është përfshirë në një skandal të paprecedentë, e cila jo vetëm dëmton imazhin e kompanisë mëmë, por përgjegjësit e saj, rrezikojnë të dënohen penalisht. Në mes të debatit botëror, të sigurisë së të dhënave personale, ku është përfshirë gjigandi “Facebook”, për përdorimin e të dhënave personale të rreth 50 milionë përdoruesve të rrjetit social nga “Cambridge Analytics”, kompania “Vodafone” në Shqipëri, të dhënat personale të klientëve të saj, ua shet pa u “frikësuar” kompanive fantazma, me qëllim, që të shqetësojnë pa asnjë arsye klientët e saj, për mbledhje borxhi të paqenë, apo grumbullim informacioni.
Për dijeni të autorëve të këtij skandali, kjo sjellje e paprecedentë e kompanisë se telefonisë celulare, është një vepër e rëndë penale, e cila dënohet me gjobë dhe burg për kompaninë dhe përfituesit monetarë të saj, por që ul padyshim besueshmërinë e klientëve kundrejt kompanisë. Qytetarët, pas publikimit të disa artikujve denoncues nga mediat, kanë nisur të shkruajnë çdo ditë, shqetësime nga më të ndryshmet e të habitshmet, për skemat e mashtrimit dhe vjedhjet në kurriz të tyre.
Së fundmi, pjesë e këtyre skemave, është bërë shitja e të dhënave personale të klientëve të “Vodafone”, me qëllim përfitimi tek palët e treta!
Denoncimi vjen nga një qytetarë, me inicialet A.S, që na tregon se si kompania telefonike, ka abuzuar me të dhënat e tij personale, duke u shqetësuar nga shoqëri “fantazma”, e mbledhjes së borxheve. Në rastin konkret, viktimë e kësaj skeme ka rënë një qytetar, të cilit i kërkohet informacion për motrën e tij të ndjerë, e cila kishte disa vite që nuk jetonte më. Për motive personale të qytetarit dhe gjykimit të rastit, nuk po e tregojmë emrin e plotë të tij, pasi ai dëshmon për gazetën, se kësaj çështje do t’i shkojë deri në gjykatë, duke paditur “Vodafone” dhe kompaninë fantazëm të quajtur “Tranzit”, që i ka blerë të dhënat.
Ja çfarë shkruan qytetari:
“Përshëndetje! Unë jam A.s nga Tirana dhe së fundmi, jo për fajin tim, jam bërë pjesë e një shqetësimi, jo pak të vogël…
Përgjatë muajve te fundit, jam kontaktuar disa herë në telefon nga një kompani e quajtur Tranzit, por telefonata e fundit me ta, ka qenë më datë 23 Qershor. Një vajzë, përfaqësuese e kësaj kompanie më thërret gjithmonë në emër duke kërkuar informacion për një person, që me të vërtetë ishte një njeri shumë i afërt i imi, i ndarë nga jeta 10 vite më parë.
U ndjeva tejet i tronditur dhe i fyer, se si mund të më kërkojnë llogari dhe të merrem në pyetje për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me personin tim, por me motrën time dhe kompanisë në emër të saj, vite më parë?! Vetvetiu më lindi pyetja, se ku e gjeti numrin tim personal dhe si arritën të bëjnë lidhjen, me personin për të cilin kërkonte informacion!
Kam kërkuar dhe vërtetuar, se është kompania telefonike, që ka shitur të dhënat e mia personale dhe u ka dhënë kontaktin. Unë nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Tranzit”, përveç mbiemrit me personin për të cilin më shqetësonin, por isha vërtetë njeriu shumë i afërt i tij për rastin në fjalë, vëllai. Për të qenë të bindur natyrisht, duhen të dhënat e trungut familjar dhe ato merren fare lehtë nga karta e ID, ose të dhënat që merren kur blen një numër Vodafone.
Ndaj, do i drejtohem prokurorisë për dëmin që më kanë shkaktuar dhe për të hetuar Vodafone dhe Tranzit për shqetësimet që u sjellin qytetarëve të tjerë me përdorimin dhe shitjen e të dhënave personale, të abonentëve në bashkëpunim!