Loading...

Vlorë/ Zonat e mbrojtura, një mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete, resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në vijim të realizimit të standardeve për t’u bërë pjesë e rrjetit “Natyra 2000”, në kuadrin e procesit të integrimit në BE, qeveria shqiptare ka krijuar një sistem Zonash të Mbrojtura që mbulon 20% të territorit kombëtar, dhe që është i organizuar në 15 Parqe Kombëtarë, rezervate natyrore dhe peizazhe gjithashtu të mbrojtura.

Nisur nga ky fakt, ACAP (Aksioni Komunitar për Ruajtjen e Zonave të Mbrojtura) është një nismë që ka për qëllim vlerësimin, fuqizimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri, të burimeve të tyre natyrore dhe të trashëgimisë së tyre kulturore e historike.

ACAP, një projekt që financohet nga BE-ja, promovon përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivitetet e tyre në jetën e parqeve respektive dhe mbështet shkollat në programe sensibilizimi aktiv, me synimin për ta shndërruar këtë në një mision të qëndrueshëm dhe transmetimin tek brezat që vijnë të vetëdijes dhe respektin për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.

Nga ana tjetër, ACAP është një nismë, ku janë përfshirë partnerë të ndryshëm, që zotërojnë kapacitetet e nevojshme për ta pasuruar atë me teknologji dhe mbështetje të natyrave të ndryshme.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri), janë dy aktorët kombëtarë që asistohen nga partnerë të huaj, që investojnë në projekt, mes të cilave, COSV (Koordinimi i Organizatave për Shërbimin Civil), IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), ECARO (Parku Rajonal Fusha e Luleve PCF), bashkia e Milanos (Itali), Inxhinierë pa Kufij (ISF), “Carbonsink” s.r.l. e Kallipolis.

Në kuadrin e procesit të hyrjes së Shqipërisë drejt Rrjetit europian “Natyra 2000”, synimi është të përmirësohen standardet e ruajtjes së Zonave të Mbrojtura dhe në një periudhë 3-vjeçare të forcohen masat për menaxhimin dhe konservimin e parqeve, mes të cilave, Parku Kombëtar Llogora, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, Parku Kombëtar Mali i Tomorrit, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli dhe zona limitrofe, në përputhje me përcaktimet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si pjesë e Programit Strategjik Afatshkurtër e Afatmesëm 2015-2020.

Projekti, që do të shtrihet në një afat kohor prej 36 muajsh, do të konkretizohet përmes veprimeve në formën e përfshirjes së komuniteteve dhe autoriteteve vendore në qeverisjen e Zonave të Mbrojtura, realizimin e aksioneve të komuniteteve lokale në përputhje me Planin e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, mbështjetjen e Agjencive Rajonale për Zonat e Mbrojtura për funksionimin e strukturave-park dhe ruajtjen e habitateve, identifikimin dhe kryerjen e atyre që cilësohen aktivitete gjeneruese të të ardhurave (income generating activities IGA) për Zonat e Mbrojtura.

Po ashtu, një vend të veçantë në implementim do të zerë edhe bashkëpunimi shkencor ndërmjet AKZM, Carbonsink dhe ISF, për gjetjen dhe aplikimin e zgjidhjeve të caktuara për energjinë e rinovueshme në mbështetje të komuniteteve lokale, promovimi i teknologjive më të përparuara, siç janë ato të quajtura RES, për qëndrueshmërinë mjedisore, në bashkëpunim me SME-të e pranishme në Zonat e Mbrojtura, zhvillimit të fushatave sensibilizuese etj.

Përmes projektit, ACAP, synohet përmirësimi i menaxhimit dhe administrimit të 4 zonave të mbrojtura, rritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe teknike, ndërkohë që përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë 30 punonjës nga 3 agjenci rajonale të zonave të mbrojtura, 6 bashki dhe 4 këshilla qarqesh, 6 organizata të shoqërisë civile, 50 ndërmarrje aktive në zonat e mbrojtura dhe përreth tyre etj.

Detajet e këtij projekti, që mbështetet nga BE-ja, u diskutuan në një takim të zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, organizuar nga Qendra e Misionit të Shtetit Italian (CELIM), me praninë e përfaqësuesve dhe drejtuesve të qeverisjes vendore në Vlorë, nga AKZM, Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, AMSHC, organizatave nga Italia e Shqipëria.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Alita Micheli, theksoi se, ky projekt përveçse rëndësisë që ka për rivlerësimin e Zonave të Mbrojtura, është një dëshmi e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zoti Zamir Dedej, u ndal mes të tjerash në risitë që ka krijuar miratimi i Ligjit “Për Zonat e Mbrojtura në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2017, që, sipas tij, është bashkëkohor, çka i ka hapur rrugë përgatitjes së paketës së akteve nënligjore, për të bërë atë efektiv. Ai theksoi se, përmes këtij projekti do të realizohen gjëra të prekshme dhe të matshme, që do të reflektojnë në përmirësimin e hapësirsë në zonat respektive, në funksion të një turizmi të qëndrueshëm.

Po ashtu, folën edhe specialistë e drejtues të tjerë, mes të cilëve, Boris Erg nga IUCN, Nihat Dragoti nga INCA, Erion Banushi nga AMSHC, Giuseppe Anania, Gerta Mehmeti që prezantoi kalendarin e veprimeve të projektit etj.

Gjatë 3 viteve parashikohet të zhvillohen 24 takime me aktorë lokalë, do të hartohen dhe arrihen marrëveshje me të gjitha bashkitë e përfshira në territor për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe dialogun me shoqërinë civile, do të zhvillohet një vizitë përvoje në parkun “Campo dei Fiori”, Itali, takime informuese në shkolla të ndryshme etj.

Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zenë 20 për qind të territorit, ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.

“Natyra 2000”, është rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në të gjithë botën dhe përfshin zona kryesore për shumimin dhe jetesën e llojeve të rralla dhe të kërcënuara dhe disa tipe habitatesh të rralla natyrore. Ai shtrihet në 18 për qind të sipërfaqes së tokës të BE-së dhe rreth 6 për qind të hapësirës detare.

Qëllimi i këtij rrjeti është të garantojë mbijetesën afatgjatë të llojeve dhe habitateve më të çmuara dhe më të rrezikuara të Europës, të listuara në Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

Çdo vend anëtar i BE-së, duhet të përcaktojë një listë të zonave që përmbajnë habitate dhe lloje të listuara në këto dy direktiva. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com