Varri Monumental i Ismail Qemalit
Statusi i objektit: Varri Monumental i Ismail Qemalit është shpallur monument nacional që në vitin 1932, nga Ministria e Arsimit të asaj kohe. U rishpall monument kulture nga Rektorati i Universitetit Shtetëror me vendim nr. 6, Datë 15.01.1963.
Viti/koha e ndërtimit: Viti 1932.
Vendndodhja: Qyteti i Vlorës.
Përshkrimi: Mbas vdekjes së tij në rrethana të mistershme në Peruxhia të Italisë, Isamil Qemali u varros fillimisht pranë Teqesë së Kaninës në vendin ku janë varrosur historikisht pinjollët e familjes Vlora. Me qëllim për të krijuar një vend simbolik për nderimin e themeluesit të shtetit Shqiptar, rreth vitit 1932 u vendos që eshtrat e tij të prehen në vendin ku ishte ngritur flamuri në ditën e shpalljes së Pavarësisë, në qendër të qytetit të Vlorës, ku dikur ngriheshin sarajet që lindi Ismail Qemali. Për projektimin dhe ngritjen e një varri monumental, që do të shërbente si monument përkujtimor u caktua skulptori i shquar Odise Paskali, i cili në vitin 1929 kishte botuar një projekt për një varr monumental, në revistën “Studenti shqiptar” të Torinos. Varri u ndërtua me pllaka guri të marra nga pllaja e Ujit të Ftohtë dhe të punuara me kujdes nga disa mjeshtra korçar të përzgjedhur nga vetë skulptori. Mbi varr autori vendosi Flamurtarin, që paraqet një luftëtar lab me kostum kombëtar i cili përfaqëson popullin të vetdijshëm që bën rojë pranë varrit të atdhetarit të madh, i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Përurimi i këtij monumenti u bë më 28 Nëntor 1932 nga ministiri i Arsimit, poeti Hil Mosi, i cili e shpalli monument nacional.
Bibliografia: O. Paskali., Gjurmë Jete, Kujtime, Meditime, Album, “8 Nëntori”, Tiranë, 1986, f. 70-71. I. Ikonomi, Pavarësia, Udhëtimi i paharruar i Ismalil Qemalit. U.E.T Press, 2012.
Funksioni: Vepër arti dhe monument kulture.
Hyrja: Pa biletë.
Itinerari: Varri Monumental i Ismail Qemalit ndodhet në qendër të qytetit të Vlorës, pranë “Sheshit të Flamurit”.