Bashkia e Vlorës nderoi sot, me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, boksierin Krenar Zeneli, për triumfin në Lojërat Mesdhetare, duke marrë vendin e dytë dhe medaljen e Argjendit.
Kryebashkiaku Leli i dorëzoi titullin sportistit Zeneli, duke vlerësuar kontributin e tij për ngritjen lart të emrit të Shqipërisë dhe Vlorës në arenën ndërkombëtare. “Sa më shumë të rinj të merren me sport, aq më mirë është. Krenari është krenari e vlonjatëve dhe shqiptarëve. I uroj suksese dhe fat. Të mbrosh edhe më lart ngjyrat e Vlorës”, është shprehur Leli.
Boksieri Krenar Zeneli falënderoi kryetarin Leli për vlerësimin ndërsa premtoi se do të sjellë të tjera medalje. “Ju falenderoj për këtë vlerësim. Kam arritur çdo gjë me mund e sakrificë. Premtoj se do të sjellë medalje të tjera në Vlorë.
Kampionati Europian i Parisit është pranë dhe premtoj se do t’i sjell Shqipërisë dhe Vlorës medalje ari”, u shpreh Zeneli. /atsh