Impianti i përpunimit të ujërave në Vlorë është një vepër infrastrukturore shumë e rëndësishme për mjedisin dhe turizmin, e cila do të pasohet nga një sërë investimesh të tjera.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë përurimit të impiantit të përpunimit të ujërave në Vlorë.
Ai theksoi se do të vijojnë një sërë investimesh të tjera për ujin, kanalizimet dhe energjinë në zonën e bregdetit.
“Është e rëndësishme që sot ne dëshmojmë këtu fillimin e vënies tërësisht dhe përfundimisht në punë të këtij impianti të përpunimit të ujërave të zeza, të njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë dhe qytetit me potencialin më të madh të zhvillimit turistik”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “për shumë e shumë vite i gjithë ky potencial kishte mbetur në mëshirë të fatit”.
Impianti i përpunimit të ujërave, sipas Ramës është një investim i madh dhe shumë i rëndësishëm, por nuk është i fundit edhe sa i përket përpunimit të ujërave të zeza dhe sistemimit të kanalizimeve”.
“Ne e dimë shumë mirë se ajo që e pengon gjithë vijën bregdetare të qytetit, Lungomaren, që të kthehet në frekuentim ashtu si duhet është fakti se prej dekadash ujërat e zeza të Vlorës derdhen aty drejtpërdrejt në det”, tha Rama.
Pas kryerjes së investimit që tanimë po jep frytet e veta në gjithë vijën urbane të Lungomares, Kryeministri theksoi se është koha për të nisur në muajt në vijim investimin për sistemimin përfundimtar të ujërave të zeza.
Vitin e ardhshëm, tha ai, vija e Lungomares do të jetë në kushte optimale mjedisore dhe uji i detit nuk do të jetë më i ndotur./atsh