Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.
Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.
Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.
Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.
Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.
Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.
Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.
Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.
Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.
Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…/atsh