Kryeministri Edi Rama mori pjesë si i ftuar nderi në eventin kulturor më të madh italian “Çmimi i kulturës Pio Alferano”, i cili u zhvillua gjatë kësaj fundjave në Salento.
Çmimi i kulturës “Pio Alferano” është një nga më të rëndësishmit që ndahet gjatë verës në Itali dhe në mesin e fituesve për këtë vit është edhe Kryeministri Edi Rama me ekspozitën e tij të titulluar, “Karakter i fortë, shpirt i butë.”
Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit Italian Vittorio Sgarbi i cili ishte dhe kurator i ekspozitës së Kryeministrit Rama, përmes një statusi në “Facebook”, ka vlerësuar Ramën për ekspresionin e tij si artist i cili nuk e ndan artin nga aktiviteti i tij politik.
Ai thekson se Shqipëria sot është padyshim një vend më i mirë, falë lidershipit të kryeministrit dhe artistit Edi Rama.
“Në Cilento, në Castellabate, mbrëmë, kemi inauguruar tri ekspozita në kuadër të Çmimit “Pio Alferano”. Një nga këto i është kushtuar Edi Ramës, i cili përveç që është një artist i mirë, që nga viti 2013 është gjithashtu Kryeministri i Shqipërisë. E shikoj me admirim, sepse është ndër politikanët e paktë që kreativitetin dhe shpirtin artistik e ndërlidh me menaxhimin e përditshëm të pushtetit dhe në përgjithësi ndaj veprimeve të qeverisë. Nëse sot Shqipëria është një vend më i mirë, kjo është padyshim për shkak të tij”, – deklaroi Sgarbi.
Çmimi “Pio Alferano” organizohet nga Fondacioni me të njëjtin emër në kujtim të gjeneral të Policisë italiane Pio Alferano.
Gjatë viteve ’70 gjeneral Pio Alferano ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e repartit të policisë për mbrojtjen e pasurisë kulturore./atsh