Loading...

“Vettingu” po kryen një pastrim të përditshëm dhe brutal të pallatit të drejtësisë

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn theksoi se krahasuar me 1 vit më parë Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm dhe mjaft pozitiv, çka lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe të integrimit.

I pyetur se cila është arma që Shqipëria mund ta përmbushë këtë ambicie brenda një viti kreu i qeverisë, Edi Rama theksoi se: “Ajo që është shumë e rëndësishme besoj që edhe shpeshherë dhe që lihet mënjanë është progresi që bën vendi në këtë proces muaj pas muaji dhe vit pas viti, pavarësisht se si shkojnë gjërat në raport me dëshirën tonë nga niveli i Komisionit, te niveli i Këshillit, pra e thënë ndryshe Shqipëria sot krahasuar me një Shqipëri të një viti më parë është një Shqipëri shumë më e përparuar në ato aspekte që lidhen drejtpërdrejt me punën tonë të përbashkët dhe me 5 prioritetet”.

Duke u ndalur te një nga reformat kyçe për integrimin Europian të Shqipërisë, siç është procesi i “Vetting”, Kryeministri theksoi se ky proces po kryen një pastrim të përditshëm dhe brutal të pallatit të drejtësisë.

“Nëse një vit më parë ne ishim në një betejë të madhe politike dhe publike dhe në një ethe kombëtare do ketë “Vetting” apo s’do ketë “Vetting”, një vit më parë fiks, a do hidhet apo nuk do hidhet ky hap, a do fillojë apo nuk do fillojë pastrimi i pallatit të drejtësisë, sot 1 vit më vonë ne po shikojmë pastrim të përditshëm dhe brutal, nëse mund ta përdor këtë fjalë, të pallatit të drejtësisë.

Natyrisht që nëse e shohim në raport se ku duhet të jemi një vit më vonë, apo dy vjet, apo 3 vjet më vonë, është e pamjaftueshme, por nëse e shohim në raport me 1 vit më parë është e jashtëzakonshme, që do të thotë që procesi në fund të fundit është një proces që bëhet për Shqipërinë dhe për fëmijët tanë këtu, jo se e kërkon Komisioneri, apo se u mblodh Këshilli dhe na tha “bëni këto gjëra, se kështu duam ne”, por sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë, kjo është shumë, shumë e rëndësishme.

Dhe ajo që është themelore është që, siç tregojnë raportet e Komisionit dhe siç tregon vendimi i Këshillit, ne kemi marrë një vlerësim të merituar.

Nuk do ishte afruar kurrë Franca dhe Holanda në pozicionin e afruar në momentet e fundit nëse nuk do të ishin rezultatet që do të flisnin për të”, – theksoi Kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit u ndal edhe te procesi i “Screening”.

“Nuk do kishte “Screening””.

“Screening” është proces që fillon pas procesit të marrjes së negociatave dhe të mos harrojmë që historia e integrimit, të paktën e afërta, thotë që i është dhënë Serbisë data e negociatave dhe i ka marrë më shumë se 1 vit pasi ka marrë datën; i është dhënë Malit të Zi data e negociatave dhe i ka marrë më shumë se 6 muaj pasi ka marrë datën, pse? Sepse është ky proces që ne po bëjmë tani”, – përfundoi Rama./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com