Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për situatën e krijuar në sistemin e drejtësisë pas Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se vendi nuk po mbetet pa gjykata të sipërme, por po operohen organizmat e kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë.
Kryeministri shton se rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti.
“Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë, rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”, shkruan kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.
Ndërsa dje kryeministri Rama në një tjetër reagim në Facebook u shpreh se, “Vetingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar. Fletërrufetë kundër Vetingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë!Loja mbaroi.Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi”./atsh