Loading...

Unë biri yt Kosovë, po të tradhtoj!

Nga Fahri Xharra

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;….

Jo, nuk t`i paskan ditur as dëshirat e heshtura, as ëndrrat e fjetura me shekuj sepse… “Arrestimi i tre të dyshuarve për terrorizëm në rrethin e Kaçanikut, ka rikthyer në mediat botërore lajmet e këqija që vijnë nga Kosova dhe për shqiptarët e Kosovës në këtë fillim të verës dhe në valën e vapës tropikale të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil.

Rrjeti televiziv amerikan ABC citonte agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press nga burime të policisë së Kosovës dhe thoshte se tre të ndaluarit shqiptarë etnik dyshohen për rekrutim dhe formim të një grupi terrorist. Sipas lajmit, gjatë bastisjes tek ata ishin gjetur uniforma ushtarake dhe materiale propagandistike ndërsa dyshoheshin për komplot për të kryer sulme sipas frymëzimeve nga mësimet radikale islamike.

Lidhjet e të dyshuarve, që citojnë burime kosovare të zbulimit, çonin tek radikalët në Siri, ku të paktën njëri prej tyre thuhet se kishte luftuar përkrah kryengritësve sunitë atje”.

Unë biri yt, Kosovë,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,…
Unë ta mohova Idriz Seferin, unë ta mohova Grykën e Kaçanikut, unë të mohova të tërën. Mendoja që ta di gjakun që të vlon në gji; por jo më duket që ishte një gurrë uji.

….“Operacioni i policisë së Kosovës kundër tre të dyshuarve ishte koduar me emrin “Hit”, ndërsa duke cituar burime të medias në Kosovë, theksonte se të dyshuarit ishin pjesë e një grupi prej 150 shqiptarësh nga Kosova të luftës civile siriane kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad.” Mos bre!

Unë biri yt, Kosovë,
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan, …
Dhe ai vullkan ishim ne, disa të birtë të shekullit të ri që … “Duke dhënë një pasqyrë kulturore të Kosovës, ABC thoshte më tej se më shumë se 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare janë të përkatësisë myslimane që praktikojnë një Islam të moderuar dhe kanë lidhje të forta politike e kulturore me botën perëndimore”.

Unë biri yt , Kosovë
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,

Unë, biri yt…. …Por jo, paskemi qenë gabim sepse…. “ata qe kanë vendosur te bëhen vegël qorre ne sherbim te terrorizmit, ja kanë falur shpirtin dhe kombin djallit! Gjersa te arrijnë ne theqafje, ketyre trushpërlarve nuk ka kush i kthen ne rrugë te mbarë! Te kujdesemi për rininë që ende ka mundësi te mos u lehet ne duar kriminelëve terroristë, pavarësisht cilit religjion i takojnë! Mbi te gjitha eshte kombi shqiptar”.

“Kam thënë, dhe prapë them, se e di mirë se çfarë kërkonte Serbia,por nuk e kam ditur se pas asaj që pësuam nga serbët,do të vendosim vet për fatin tonë,natyrisht jo kështu me terrorizëm të disa shqiptarëve, në Amerikë,në Frankfurt të Gjermanisë,në Irak,Siri,dhe tash,terroristët kapën edhe në Kosovë, duke u përgatitur për akte terroriste brenda saj,apo edhe gjetke,pikërisht ashtu si i marrin direktivat nga kolegët e tyre pjesëmarrës në luftimet në Siri – (D.M)”.

Unë biri yt, Kosovë, nuk e kam ditur që…. “Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javës që shkoi vrau në një sulm vetëvrasës në Bagdad mbi 50 persona, thotë se atë e mashtruan. Ata thonë se atij ia shpëlanë trurin me ligjërata. Blerimi, konfirmojnë ata, ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia”.

“Më 24 mars,2014 familja Heta nga Varoshi i Ferizajt mori një telefonatë nga djali i tyre, Blerim Heta, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri. “Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që ai ua kumtoi atyre.Të nesërmen, më 25 mars, kosovari Blerim Heta kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë.

Forumet e xhihadit në internet e shpallën menjëherë shehid (dëshmor).Familja e Blerim Hetës thonë se djalin e humbën për asgjë”.
Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën, ia heq kotllën.
Kult’ i tij kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmie varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi…
“Merret vesh se të arrestuarit në operacionin e sotëm policor kundër terrorizmit janë Ë. Berisha, Sadat Topojani e Jetmir Kyçyku. Berisha e Kyçyku janë nga Kaçaniku dhe i takojnë organizatës joqeveritare të paregjistruar në shtet- “Rinia Islame-Kaçanik”, derisa Sedat Topojani është ish-xhihadist i krahut të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) nga Hani i Elezit. Gazetat patën raportuar kohë më parë për xhihadistët shqiptarë nga Kaçaniku dhe për strukturën e OJQ-së “Rinia Islame-Kaçanik”. Mos bre! Unë jam biri yt, Kosovë!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. ….“Ngjarja e 2 marsit (2011) në Frankfurt, ku 21-vjeçari nga Kosova qëlloi për vdekje ushtarë amerikanë, dëshmoi se as një shoqëri s’është imune nga ndikimet e dyshuara islamistë radikale.

Lind pyetja si mund të parandalohen raste të tilla? Arid Uka veproi në mënyrë individuale dhe sipas hetimeve të deritanishme urrejtjen ndaj amerikanëve ai e mori në internet brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai nuk ishte i riu i parë mysliman i radikalizuar, por ishte i pari, që realizoi atentatin terrorist në territorin gjerman.

Dhe ajo, çka i shokoi shqiptarët, ishte jo vetëm fakti që ai ishte shqiptar, por edhe që urrejtja e tij ishte drejtuar ndaj amerikanëve. “Ky konstelacion është befasues”, thotë Konrad Clewing, ballkanolog nga Instituti i Evropës Juglindore në Regensburg. Por ai thekson se fakti që atentatori ishte rritur në Gjermani dëshmon se kjo ngjarje është në radhë të parë një shenjë alarmuese për Gjermaninë, se sa për Kosovën, apo shoqërinë shqiptare në përgjithësi”.
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;… “Por opinioni kombëtar shqiptar është shumë i ndjeshëm, kur bëhet fjala për ndikimin e fesë islame dhe parapëlqen heshtjen, konstaton Robert Pichler. “Feja, e sidomos ajo islame, është një nga temat më të tabuizuara tek elitat shqiptare”, thotë studiuesi austriak.

Sipas tij kjo ka të bëjë me doktrinën kombëtare të trashëguar nga koha e rilindjes. Për Pichlerin “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është një nga mitet më të mëdha të shqiptarëve. “Problemi është se sa e hap këtë temë tek elitat shqiptare, menjëherë ato mundohen ta banalizojnë”, thotë ai.

Të rinj në udhëkryq. Robert Pichler është marrë dhjetë vjet me radhë me ndikimin e fesë tek shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë. Docenti i Universitetit të Gracit është duke punuar aktualisht në një libër, që trajton pikërisht problemet e përkufizimit të identitetit të rinjve shqiptarë, që jetojnë në Austri.

Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të të të pa feve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!… “Çuditeshim, madje reagonim ashpër, kur serbet shqiptarët /NEVE/ i/na quanin irredentistë, separatistë dhe terroristë. Thoshin, pra serbët, para se të bëhej luftë dhe Kosova të shpallte pavarësinë, se Kosova paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Kjo që disa vite po ndodh me Kosovën,nën ndikimin e papenguar të shteteve islamike, është një pasqyrë, vërtet trishtuese, por njëkohësisht edhe shpirtkënaqje për serbët, të cilët edhe ata, në forma, me gjithfarë mjetesh dhe financa të mëdha, kanë stimuluar dhe nxitur interesimin dhe shtuar ndikim më të madh të islamit tek shqiptarët,me qëllim,që sa më parë të shkaktohet një destabilizim,jo vetëm në Kosovë,por edhe vende të tjera kudo ku jetojnë shqiptarët.

Po shihet se uji “terrorist” po shkon në mullirin e Serbisë, dhe keqësimi i situatës në Kosovë, sidomos,asaj i shkon për shtat,dhe ëndërrohet se është një shans për rikthim të saj në Kosovë (Dedë Mirdita).
Unë biri ty Kosovë nuk e kam ditur që “Çdo vit duhet të dërgohen fëmijët tanë në shkollat në Turqi. Por, nuk mund të marrim mbështetje nga buxheti i shtetit. Prandaj është e barrë e rëndë ti edukojmë fëmijët tanë. Në këtë aspekt ndihma e Turqisë është shumë e rëndësishme”,( tha Tërnava ).

Pse oj Kosovë! E di ti Kosovë që në vitet 1998-1999 bota vajtonte per ty? E di ti Kosovë që na ka humbur krenaria ? E di ti Kosovë që për pak para po të shesin? E di ti Kosovë?… …I di ti, te gjitha por nuk flet, sepse ta kanë shterrur zërin!

Fahri Xharra (2014) 14.10.17
Gjakovë

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com