Policia ka vene ne pranga nje te ri nga Kosova, që udhëtoi 282 km rrugë për t’i shprehur dashurinë gruas shkodrane. “E imja ose e askujt tjetër”, prej gati një viti, ai ishte i fiksuar pas gruas në qytetin e Shkodrës dhe për këtë arsye kishte udhëtuar nga Vushtrria për t’i shprehur dashurinë.
I ndodhur përballë refuzimit të shkodranes, i riu kishte marrë dhe armë me vete për ta kërcënuar. Besnik Hyseni nuk reshte prej një viti, duke tentuar me të gjitha mënyrat që të bënte për vete 37-vjeçaren e divorcuar.
Pasi kjo e fundit e ka refuzuar çdo herë, 23- vjeçari nga Vushtrria ka thyer çdo pritshmëri të shtetases A.G., banuese në Shkodër, në dalje të lagjes “Rus” përgjatë rrugës që të çon te Komisariati i Policisë. Hyseni ka pritur deri pas mesnate dhe me një pistoletë në dorë, është futur brenda banesës ku jeton 37- vjeçarja.
Sapo është futur brenda oborrit të shtëpisë private, sipas burimeve policore, Besnik Hyseni i është drejtuar asaj me fjalët “ose je e imja, ose e askujt tjetër”. Gjatë gjithë kohës i është drejtuar me shprehje të tilla, duke e kërcënuar që të pranonte të krijonte lidhje intime me të.
E gjendur e pambrojtur dhe me armën në dorë, një pistoletë tip “Zastava” që mbante kosovari, 37-vjeçarja ka njoftuar menjëherë Policinë. Një patrullë ka qëlluar afër vendit të ngjarjes dhe ka shkuar me shpejtësi, duke bërë të mundur arrestimin e menjëhershëm në flagrancë të shtetasit Besnik Hyseni.
Edhe para policëve, në dëshminë e tij, 23-vjeçari nuk e ka fshehur dashurinë dhe fiksimin e tij të çmendur që ka për gruan shkodrane. Kjo e fundit ka treguar sesi prej një viti, ky shtetas e ka përndjekur me të gjitha format duke arritur deri në ekstrem, duke iu futur brenda shtëpisë me një armë në dorë.
Pas reagimit të shpejtë të Policisë, shtetasi Besnik Hyseni u arrestua, ndërsa në cilësinë e provës materiale iu gjet edhe pistoleta tip “Zastava”, që iu sekuestrua./korrieri