Loading...

Turistë gjermanë marrin pjesë në “Festën e Bjeshkëve” në Tropojë

Tropoja është një destinacion i ri turistik. Përveç Luginës së Valbonës, një mrekulli e natyrës, Tropoja ofron atraksione të reja për turizmin malor.

Në njësinë administrative Margegaj të bashkisë Tropojë u promovua “Festa e Bjeshkës” në “Trokuz” ku pati lojëra popullore, këngë e valle të trevës.

“’Festa e Bjeshkëve’ që është kthyer në traditë këto katër vitet e fundit, falë dhe punës së bërë nga Bashkia dhe institucionet lokale atje, ka tërhequr vëmendjen e mjaft turistëve. Mbi 200 persona, pavarësisht se kushtet meteorologjike nuk ishin të përshtatshme rendën në ‘Festën e Bjeshkëve’”, – tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Granit Kurmekaj, N/Prefekt i Qarkut të Kukësit, pjesë e të cilit është bashkia e Tropojës.

“Ishte pjesëmarrje mjaft e kënaqshme, duke parë dhe kushtet atmosferike jo të mira. Pati lojëra popullore të zonës, veshjet tradicionale të zonës së Tropojës, konkurs bukurie, ku zgjodhëm zonjushën më të bukur. Pati opinione mjaft të mira nga pjesëmarrësit, veçanërisht ata me moshën të lartë, të ftuarit mbetën të kënaqur, si deputeti i zonës etj. Nga Kosova pati shumë të ftuar. Patëm vizitorë dhe nga Gjermania. Shkëmbyem mendime dhe ata treguan se ishin mjaft të mahnitur nga Bjeshkët e Tropojës. Ishin tejet të kënaqur me mikpritjen, me ushqimin, shërbimin në tërësi të ofruara nga bujtinat. Atyre i pëlqente mjaft fakti që shtëpia ishin ende me stil tradicional, që zonat kishte ruajtur çdo gjë si shumë vite me parë”, – rrëfeu Granit Kurmekaj.

“Në fund të festës u shtrua një drekë me gatime tradicionale të Tropojës. Festa u organizua nga bashkia e Tropojës. Ka katër vite që organizohet, qëllimi është që të promovojmë Bjeshkët e Tropojës dhe është festë njëditore dhe ka synim për t’u zgjatur në kohë. Është një festë kryesisht që kërkon të demonstrojë se Tropoja meriton të promovohet për bukuritë që ofron, si nga kulinaria, si nga natyra, si nga vlerat kulturore, si një destinacion i ri për turizmin malor në vendin tonë”, – tha N/Prefekti Kurmekaj. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com