Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me medalje presidenciale këngëtaren Era Istrefi, si mirënjohje për kontributin e saj për promovimin e Kosovës nëpër botë.
Istrefi i solli një dhuratë presidentit Thaçi, një top futbolli me autografet e futbollistit Ronaldinjo dhe këngëtarëve Will Smith dhe të saj.
Presidenti Thaçi e çmoi kontributin e Erës, për të cilën tha se me punën dhe sukseset e saj ka arritur të krijojë një imazh pozitiv për Kosovën.
“Edhe pse s’i kishim ekipet futbollistike, prezenca juaj ishte simbolikë, ishte mesazh, ishte Kosova, ishte zëri i Kosovës, prandaj, për afirmimin e vendit, shtetit tonë të ri, për imazhin shumë pozitiv që e keni krijuar me punë e përkushtimin, zellin dhe suksesin e jashtëzakonshëm global, unë kam vendosur që të ndaj dekorimin për ju, për kontributin për vendin, si president i vendit”, u shpreh Thaçi.
Era Istrefi është shprehur e lumtur që po nderohet me një mirënjohje të tillë pikërisht nga vendi i saj dhe ka thënë se ndihet edhe më shumë e motivuar.
“Unë jam shumë e lumtur që e kam aftësinë me e bo botën të lumtur me muzikën time. Po gjithashtu, edhe kjo medalje mua më motivon edhe më shumë për të promovuar Kosovën sa më shumë që të mundem në të ardhmen ”, u shpreh Era.
Presidenti Thaçi, i pyetur se a e përfaqësojnë më mirë Kosovën politikanët apo artistët, ka thënë se artistët po i japin imazh më të mirë vendit dhe se ndihet krenar me ta.
“Era, Dua, Ora janë më të njohura dhe më të mëdha se gjithë ne, janë njerëz me ndikime dhe zëri i tyre është dhe global për Kosovën. Urimet më të mira, ne gjithë kudo që kemi qenë, kemi qenë krenarë me arritjet e Erës”, ka thënë Thaçi. /KosovaPress/