Një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u largua sot nga detyra, pasi rezultoi se kishte lidhje me botën e krimit.
Shqipëria dëshiron të hyjë në BE dhe për këtë asaj i duhet të ndërmarrë një pastrim në shkallë të gjerë. Vendi ka zgjedhur ta bëjë këtë në mënyrë të plotë dhe rigoroze. Një skuadër ndërkombëtarësh është duke hetuar 800 gjykatës dhe prokurorë. Diçka e tillë nuk është parë kurrë më parë në Europë. Ne shkuam të shikonim vetë nga afër në Tiranë se si korrupsioni po provohet të shkulet megjithë rrënjë, shkruan media belge “vrt.be”.
Në vitet ’90 Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë. Ndërsa sot, teksa shëtit në rrugët e kryeqytetit shikon menjëherë një ndryshim të madh. Tirana është një qytet i pastër, shumë i këndshëm për të jetuar. Vinçat e ndërtimit vihen re kudo nëpër qytet, në oborre zyrash, qendrash tregtare, shtëpi apo edhe mbi një stadium futboll. Qyteti po gumëzhin. Ekonomia është rigjallëruar.
Mbi të gjitha Tirana është një qytet ku banorët dhe turistët ndihen të sigurt në rrugë. Statistikat e përforcojnë ndjenjën e sigurisë. Kur bëhet fjalë për sigurinë publike, Tirana ka vlerësim shumë të mirë krahasuar me disa kryeqytete në Europë. Por prapa fasadave të pastra fshihet krimi i organizuar dhe korrupsioni që ende lulëzojnë. Përderisa krimi mbetet produkti kryesor i eksportit dhe korrupsioni një sport kombëtar, hyrja në BE nuk do të ndodhë nesër. Por, Shqipëria ka vullnet të hekurt për t’u çliruar nga mëkatet e saj.
Në muajin prill Shqipëria filloi me procesin e Vetting-ut përmes të cilit do të kalojnë 800 gjyqtarë dhe prokurorë. Një grup monitoruesish ndërkombëtarë nga vendet anëtare të BE është duke kryer hetime të plota dhe është duke pyetur një nga një të gjithë magjistratët.
Përpara fillimit të të ashtuquajturit “proces i Vetingut”, 20 magjistratë dhanë dorëheqjen. As më pak dhe as më shumë një pranim faji. Njëzet gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë kanë kaluar deri tani në procesin e “Vetingut”. Pothuajse gjysma e tyre rezultoi e korruptuar dhe i lejohet të gjejnë një punë tjetër jashtë sistemit të drejtësisë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se një numër shumë i madh magjistratësh i kanë investuar të ardhurat e tyre në prona të paluajtshme dhe në automjete, gjë që nuk korrespondon me pagat e tyre.
Në arkat e tyre të kursimit ka para, të cilat nuk mund të jenë kursyer nga ata vetë. Argumenti se kanë një xhaxha bamirës në Amerikë, është përdorur ndërkohë kaq shpesh, saqë menjëherë është një tregues faji. Shumë prej tyre rezultojnë të kenë lidhje të ngushta me mafien shqiptare.
Qeveria dëshiron të vijojë edhe më tej me hapat e ndërmarra dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është duke kryer reformat të cilat do ta bëjnë të pamundur në të ardhmen korrupsionin. Institucionet e reja duhet të formësojnë një sistem të pastër të drejtësisë. Për momentin, BE-ja është veçanërisht pozitive për përpjekjet shqiptare. Në qershor, shtetet anëtare europiane njoftuan se negociatat e pranimit mund të fillojnë jo më herët se fundi i 2019-ës. Deri atëherë – dhe natyrisht edhe në vijim – reformat do të vazhdojnë.
Por, vetëm lufta ndaj korrupsionit është e pamjaftueshme.
Që vetë magjistratët nuk janë kaq të zellshëm ndaj këtij procesi, nuk përbën në fakt një argument. Dy shoqata magjistratësh i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ankimuar “procesin e Vetting-ut”. Ata kanë dyshime nëse janë duke u respektuar të drejtat e njeriut për magjistratët. Sidoqoftë ata shikojnë nevojën për ndryshim.
Disa vëzhgues janë skeptikë për shanset që Shqipëria ka për të qenë ndonjëherë zyrtarisht pjesë e familjes europiane.
“Ti mund të hedhësh në rrugë gjyqtarët e korruptuar, por gjithashtu duhet të ketë një ndryshim në mentalitet”, – thotë gazetari shqiptaro-holandez Vincent Triest. Tashmë për të rinjtë shqiptarë simbole të suksesit janë tregtarët e drogës, të majmur me pasuri dhe politikanët e korruptuar. “Shkollat dhe universitetet duhet ta thyejnë këtë pamje, në mënyrë që të rinjtë të dinë se krimi apo korrupsioni nuk është mënyra me të cilën duhet të ecin”, – thotë Triest.
Sipas ambasadores së BE-së Romana Vlahutin, investimi tek siguria është një çështje (shqetësim) për të gjithë BE-në.
“Në fillim të viteve 1990, në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, kishte një thënie se Ballkani ishte oborri i pasmë i Europës, por duke pasur parasysh sfidat në fushën e sigurisë për shkak të migracionit dhe krimit të organizuar, vendet e Ballkanit janë bërë oborri i parmë i saj. Me të vërtetë ti dëshiron që ky oborr të jetë i fortë, kështu që çdo investim në sigurinë në rajon, është një investim për sigurinë e BE-së”, – thotë ajo./atsh
Linku:https://www.vrt.be/vrtnws/nl/2018/07/16/albanie-pakt-corruptie-aan-om-bij-de-eu-te-kunnen-horen/