Drejtuar nga individë apo udhëhequr nga qeveritë autoritare, ngacmimi në internet i gazetarëve po përhapet në shkallë botërore dhe prek kryesisht gratë, denoncon Reporterët pa Kufij (RSF) në një raport.
“Në vitin 2018, t’u bësh presion në internet gazetarëve nuk ka qenë kurrë kaq e thjeshtë”, shpreh shqetësim organizata për mbrojtjen e shtypit.
OJQ-ja ka dokumentuar për gjashtë muaj dhjetëra raste në 32 vende për të hartuar këtë raport të titulluar “Ngacmimi në internet i gazetarëve, kur trollsat (personazh në filmat për fëmijë – shën. përkth.) nisin sulmin”.
“Ngacmimi në internet është një fenomen që po përhapet në shkallë botërore dhe që përbën sot një prej kërcënimeve më të rënda kundër lirisë së shtypit”, deklaroi Christophe Deloire, sekretari i përgjithshëm i RSF.
OJQ dënon fushatat e urrejtjes drejtuar nga regjimet autoritare apo represive si në Kinë, në Rusi, në Indi, në Turqi, në Vietnam, në Iran, në Algjeri, por gjithashtu fushata të agresionit kibernetik të iniciuara nga komunitete individësh apo grupime politike në vendet e ashtuquajtura demokratike./atsh