Loading...

Të kishte drejtësi në Shqipëri monstrat Berisha, Meta, Basha, Mediu, Kryemadhi e Rama me të tijtë duhej të ishin në burg

Në fillim ishte Sali Berisha, ish kryeministri shqiptar ai që akuzoi Edi Ramën se shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, duke e shkrirë atë.

Nëse akuza e Berishës do të kishte të bënte me të vërtetë me shqetësimin që ka ai për largimin e pjesës më të madhe të anëtarëve të Kushtetueses dhe mosplotësimin e kuorumit nga kjo gjykatë, shqetësimi do të ishte i drejtë.

Por ish kryeministri tërë pezmin e tij e ka me procesin e Vettingut dhe faktit që nga Kushtetuesja janë larguar pikërisht njerëzit e vënë me “fermanin” e tij, në këtë gjykatë.

Dhe nuk është vetëm Berisha njeriu që “qan me ligje” shkrirjen e Kushtetueses, pasi Vettingun e kanë kaluar shumë pak vete.

Këtij kori i është bashkuar dhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, të cilët nuk lënë rast pa dalë në publik dhe akuzuar për shkatërrim të Kushtetuese për qëllime mafioze.

Njëherësh dhe presidenti Ilir Meta ka folur për mungesën e kuorumit të institucioneve kushtetuese, mes të cilëve Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, çka për Metën ka sjellë bllokimin e gjyqësorit dhe shqyrtimit të dosjeve.

Tashmë se fundmi opozita e bashkuar ka dërguar dhe kreun e PR Fatmir Mediu në punimet e Asamblese Parlamentare te OSBE, e cila u mbajt ne Parlamentin Gjerman.

Në seancën plenare, në emër të opozitës Mediu vlerësoi se në qendër të punës së OSBE është mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të qytetareve, por dhe një drejtësi e pavarur dhe e lirë.

“Shqipëria u përfshi në një proces të reformës në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe garantuar pavarësinë e tij.

Të gjithë ranë dakord dhe e vlerësuan si të domosdoshme, por ajo që është e domosdoshme është implementimi i drejtë i saj.

Sot ne jemi në mungesë të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe bllokim të Gjykatës Lartë, dhe mund të përfundojmë në mosfunksionimin e Gjykatave të tjera”, tha Mediu.

Ai e cilësoi Shqipërinë si një rast unik në Europë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese apo me një Gjykatë të Lartë të bllokuar, duke permendur si shembull Amerikën. Vend në të cilin zhvillohet debat se kush duhet të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë një kohë kur në Shqipëri kjo Gjykatë nuk funksionon fare.

“Ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duhet të ulemi dhe të ndryshojmë këtë situatë për të pasur një pushtet gjyqësor të pavarur dhe funksional”, thotë Mediu.

Iu referuam ish ministrit të Mbrojtjes njëherësh dhe kreu i republikanëve shqiptarë Fatmir Mediu, meqënëse ishte deklaratë e freskët. Dhe kush kërkon të ulet për të vendosur për gjykatat e të gjithë niveleve në Shqipëri, është me të vërtetë ironia e madhe.

Të flasë Fatmir Mediu ish ministri që hodhi në emër të Berishës dhe djalit të tij një fshat të tërë me punishten e demontimit të municioneve në Gërdec ku u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë është vërtet e paimagjinueshme. Pasi drejtësia nuk e dënoi asnjë ditë Mediun.

Të kërkojë dhe Berisha Gjykatë Kushtetuese kur e akuzoi këtë gjykatë se mori para dhe zbatoi urdhërin e Erdogan për rrëzimin e marrëveshjes së “detit” me Greqinë të vitit 2009, është vërtetë kulmi i hipokrizisë.

Të flasë Berisha për gjyqësor të pavarur, ndërkohë që masakroi prokurorinë, urdhëroi gjykatën dhe bëri maskaradën e çështjes së vrasjeve të 21 janarit, të katër demonstruesve të opozitës është vërtetë një maskarallëk.

Po ashtu Ilir Meta e Monika të flasin për gjyqësor jashtë funksionit, ku vetë Presidenti shkatërroi provat për përgjimin e të ndjerit ish ministrit të tij Dritan Prifti dhe doli i pafajshëm, kur mbylli shumë e shumë afera korruptive, është vërtetë një ironi e fatit tonë të zi.

Por dhe të flasë Lulzim Basha për gjyqësor të pavaruir që shpëtoi me raporte mjekësore nga dënimi për vjedhjen e 230 milionë eurove të rrugës së Kombit apo masakrën e 21 janarit është vërtetë të ikësh nga sytë këmbët.

Dhe në fund të herës të akuzojnë sot Berisha, Basha, Meta e Mediu për drejtësi të kapur është vërtetë përtej dhimbjes. Jo se drejtësia nuk është kapur nga Rama tani, por këta monstra nuk kanë gojë të flasin për të.

Dhe në mbyllje të këtij qëndrimi, nëse do të kishte pasur gjyqësor dhe prokurori të pavarur në Shqipëri, vetë Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Fatmir Mediu dhe Monika Kryemadhi për abuzimet dhe krimet që kanë kryer duhej të ishin në burg.

Dhe bashkë me ta, pa zgjatur asnjë ditë, nëse në Shqipëri do të kishte pasur drejtësi të pavarur, Edi Rama dhe ministrat e tij duhej të ishin në burg për abuzimet që kanë bërë me paratë e shtetit nga koncesionet e deri tek vënia dorë mbi buxhetin.

Por nuk ka drejtësi në këtë vend, ndaj këta horra dalin e flasin për të./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com