Loading...

Stuhia në qytetin e Vlorës shkakton probleme në rrjetin elektrik, institucionet në gatishmëri

Reshjet e dendura lokale të shiut, të cilat kanë shkaktuar një sërë dëmesh në qarkun e Vlorës, kanë vendosur në gatishmëri institucionet.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) thekson se reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë, kanë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik të zonës, duke përcaktuar si prioritet rikthimin e energjisë në hidrovorin e Vlorës.

“Për momentin jemi angazhuar në 2 drejtime, në risjelljen e energjisë elektrike në hidrovorin e qytetit të Vlorës dhe zonës së Radhimës, për shkak të erërave të forta që kanë rrëzuar pemë mbi telat e tensionit të lartë dhe gjendjes së katamaranëve që kanë dalë në zonën e Karaburunit që po menaxhohet nga kapitaneria e portit të Vlorës”, – theksoi prefekti Mamaj.

Duke u ndalur tek angazhimi i forcave për përballimin e kësaj situate, prefekti theksoi se për momentin ndërhyrja e Forcave të Armatosura nuk është e nevojshme, por institucioni i Prefekturës së bashku me bashkinë e Vlorës, OSHEE-në dhe kapitenerinë e këtij qyteti, janë në ndjekje të situatës.

“Jemi të angazhuar me bashkinë e Vlorës kryesisht, me OSHEE-në dhe me kapitenerinë e portit, në këto tre drejtime dhe jemi në kontakte të vazhdueshme. Deri tani nuk kemi patur probleme serioze, por po kërkojmë që të risjellim energjinë në hidrovorin e qytetit dhe në spitalin rajonal, të cilët për shkak të erërave të forta janë pa drita dhe për riparimin e këtij defekti janë angazhuar grupe nga OSHEE e Fierit dhe e Vlorës”, – përfundoi ai.

Nga stuhia e fortë që përfshiu Vlorën janë shkaktuar një sërë dëmesh në strukturat e lehta metalike. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com