Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën është një shenjë e qartë e ndryshimit klimatik, sipas një studimi paraprak që nuk arrin deri aty sa t’ia atribuojë këtë valë të nxehti vetëm ngrohjes globale.
Që prej fillimit të kësaj vale të nxehti, që ka prekur të gjithë hemisferën e veriut që prej disa javëve, shkencëtarët nënvizojnë se ajo është në përputhje me tendencat e njoftuara nga modelet klimatike.
Por, në mënyrë të përgjitshme, ata rezervohen t’ia atribuojnë vetëm ndryshimeve klimatike këtë mot ekstrem.
Megjithatë, po bëhen gjithnjë e më shumë kërkime për të përcaktuar nëse një ngjarje mund të mos kishte ndodhur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore.
Studiuesit e rrjetit “World Weather Attribution” (WWA) kanë vendosur të shkojnë përpara dhe të mos presin fundin e kësaj vale të nxehti për të filluar llogaritjet duke nënvizuar karakterin paraprak të rezultateve të tyre.
Ata kanë krahasuar tre ditët më të nxehta të valës aktuale të të nxehtit në shtatë stacione meteorologjike në gjashtë vende (Finlandë, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Norvegji, Suedi) me tre ditët më të nxehta të regjistruara çdo vit në të njëjtat stacione meteorologjike, të dhënat e të cilave datojnë që prej fillimit të shekullit XX.
Duke përdorur gjithashtu modelet klimatike, ato arritën në përfundimin se vala aktuale e të nxehtit ishte me shumë gjasa për shkak të ngrohjes globale./atsh