Në qytetin e Sarandës është drejt përfundimit puna për ndërtimin e një spitali modern me aparatura dhe teknologji të fjalës së fundit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se është drejt përfundimit spitali modern i Sarandës materniteti dhe pajisja me aparatura biomjekësore të teknologjisë së lartë. Për herë të parë edhe pistë helikopteri”.
Ndërkaq, Tajar Lako, Drejtor i Spitalit të Sarandës tha gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ky spital do të hapet për publikun në shtator dhe do t’i shërbejë një popullate gati prej 150 mijë banorësh, numër që 3-4 fishohet në sezonin e verës për shkak dhe të rritjes së fluksit të qytetarëve.
“Spitali i Sarandës është krejtësisht i ri. Aty ndodhet materniteti i Sarandës, ku të gjitha pajisjet janë të reja, dhe sallat e kirurgjisë për maternitetin janë të reja. Të gjitha dhomat dhe çdo pjesë që lidhet me maternitetin janë të reja (godina me ngjyra në foto). “Pjesa tjetër është pjesë e spitalit të vjetër, por dy kate janë shtuar dhe janë bërë “kirurgji dhe patologji”. Këto janë të reja. Janë 15 shtretër dhe të gjitha dhomat janë dyshe dhe të pajisura me monitor, banjë dhe pajisjet e fundit që i duhen një spitali”, tha Lako për ATSH.
“Shtesa te kirurgjia është i gjithë blloku operator, të gjitha pajisjet do të jenë të reja. Në Shtator do të fusim dhe procesin sterilizimit”, tha drejtori i spitalit të Sarandës.
“E veçanta tjetër është se është i vetmi spital që ka pistën e helikopterit, që ndodhet në pjesën e tarracës. Ky spital, pjesa e maternitetit ka qenë e veçuar, e bërë që në kohën e Italisë, e ri-konstruktuar para 20 vitesh, por ishte në gjendje shumë të keqe. Ndërsa pjesa e spitalit që është ekzistuesja ka pësuar një ndryshim në strukturë, duke i shtuar dy kate, ku janë kirurgjia dhe patologjia. Ky spital u shërben të paktën 5 bashkive, Sarandës, Konispolit, Finqit, Delvinës (që ka spital, por për trajtim më të specializuar është ky i Sarandës, pasi ska as kirurgji as maternitet), po ashtu dhe Bashkisë së Himarës. Mbulon pra një popullatë me 130-140 mijë banor, në sezonin e verës kemi tre apo katër- fishim të popullatës për shkak të sezonit turistik”, tha për ATSH, Tajar Lako, Drejtor i Spitalit të Sarandës./atsh