Loading...

Shqipëri-Kroaci, nis programi dypalësh për menaxhimin e ndotjes detare

Koha për shkëmbimin e përvojave në menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare, për rritjen e sigurisë në dete dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE-së.

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka nisur projektin për “Menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare, për rritjen e sigurisë në det dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE ”

Projekti i financuar nga qeveria kroate synon të zgjidhë nevojat për një platformë të koordinimit ndërinstitucional të sistemit shqiptar të gatishmërisë dhe reagimit, duke përfshirë burimet publike dhe private që do t’i përgjigjen rasteve të emergjencave, derdhjeve të naftës ose substancave të tjera të rrezikshme në mjediset detare.

Në një njoftim për shtyp PNUD, bën të ditur se aktivitetet që do të ndërmerren në kuadër të projektit synojnë gjithashtu të përmirësojnë kuadrin ligjor kombëtar në përputhje me kërkesat e BE-së për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin në rastet e ndotjeve nga aksidente detare, si rrjedhje e naftës, ose substancave të rrezikshme, si edhe përgatitjen e rregulloreve për zbatimin e kërkesave nga të gjitha palët përgjegjëse në zbatimin e Planit Kombëtar të Emergjencave.

Këto përpjekje të përbashkëta do të synojnë reduktimin e riskut të ndotjeve në mjediset detare, forcimin e kapaciteteve të aktorëve të përfshirë, për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike të shkaktuara nga incidentet detare, derdhjet e naftës ose lëndëve të tjera te rrezikshme, duke kryer në këtë mënyrë analizën dhe vlerësimin e strukturës legjislative dhe institucionale me synim ofrimin e rekomandimeve për përmirësime legjislative, përcaktimin e mekanizmit dhe strategjisë së reagimit, përgatitjen e Vlerësimit të Riskut të ndotjes detare, përgatitjen dhe ofrimin e programit kombëtar të trajnimit për punonjësit e Rojes Bregdetare, Mbrojtjes Civile, Doganave, Autoritetit të Portit, administratave të porteve, bashkive si dhe të institucioneve të tjera të përfshira në sistemin kombëtar të reagimit ndaj emergjencave, duke përfshirë industrinë dhe sektorin privat. //atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com