Loading...

Shoferi i Xhafaj humbi jetën, PD akuza bombë: Prokuroria është zhdukur

10 ditë nga vetëvrasja e shoferit të ministrit të Brendshëm, Partia Demokratike ka hedhur akuza në drejtim të Prokurorisë së Tiranës.

Në një deklaratë për mediat, PD pretendon se organi i akuzës ka për qëllim të manipulojë hetimin dhe të mashtrojë publikun.

“Qëllimi i vetëm i Prokurorisë së Tiranës është manipulimi i hetimit dhe mashtrimi i publikut, ndaj brenda katër orësh ajo lëshoi një deklaratë të hartuar në zyrën e Fatmir Xhafajt se shoferi është vetëvrarë”.

Sipas PD-së, “prej atij momenti, Prokuroria e Tiranës është zhdukur dhe nuk po bën më asnjë lloj transparence me shpresën së çështja do të harrohet”.

E gjithë kjo situatë, sipas PD-së, vërteton kapjen e prokurorisë nga Edi Rama.

“Bllokimi i hetimeve për vrasjen e shoferit të Fatmir Xhafajt vërteton përfundimisht se i gjithë sistemi i Prokurorisë kontrollohet nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Durrësit janë të gjitha marioneta në duart e Edi Ramës dhe instrumenta për të mbrojtur krimin në qeveri”, thuhet në deklaratë.

Qëndrimi i PD-së mbyllet me një akuzë të drejtpërdrejtë për Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku.

“Që pas emërimit të Arta Markut, e cila ndryshoi të gjithë drejtuesit e sistemit të Prokurorisë, janë bllokuar dhe zvarritur të gjitha hetimet e rëndësishme kundër krimit, drogës dhe korrupsionit. Pa çlirimin e Prokurorisë nga kthetrat e Edi Ramës nuk do ketë drejtësi të vërtetë në vend”./korrieri

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com