Sekuestrimi i pasurive të Adriatik Llallës ka filluar të përhapë panik në Tiranë. Vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Krimeve të Rënda është cilësuar nga gjermanët si një mesazh i qartë për politikanët e korruptuar në vendin tonë. Rrjeti “Deutsche Welle” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rastit të Llallës, pasi ka bërë një shkrim mjaft të fortë mbi situatën e korrupsionit në Shqipëri. Media gjermane shprehet qartë se po jepen sinjale për arrestime në nivele shumë të larta.
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk i është nënshtruar vetingut të prokurorëve. Para se të fillonte veting-u ai deklaroi largimin vullnetar nga sistemi i drejtësisë. Por kjo nuk e pengoi drejtësinë që të mos e hetojë atë. Sekuestrimi i pasurive të patundshme është një sinjal pozitiv që lufta kundër korrupsionit do të përfshijë edhe të ashtuquajturit “të paprekshëm” apo “peshq të mëdhenj”.
Është paradoks sesi për 5 vjet kreu i akuzës që duhet të drejtonte luftën kundër korrupsionit po hetohet ne bazë faktesh për korrupsion, pastrim parash dhe ka të sekuestruar pasuritë e tij të paluajtshme”, thuhet në artikull. Më tej bëhet e qartë se pas Llallës duhet të vijë radha e politikanëve. “Deutsche Welle” shkruan se në Shqipëri ka çdo ditë akuza për korrupsion, por ato bëhen sipas politikës së ditës dhe asnjëherë nuk ka pasur hetime e prova konkrete.
“Hetimi i tij i paanshëm dhe profesionist është një gur prove për reformën në drejtësi. Llalla do të gjykohet nga gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e vetingut. Nëse rasti i tij do të ndiqet edhe nga ish-pushtetarë apo pushtetarë aktualë për të cilët hidhen dhe priten akuza për korrupsion të pavërtetuara, që ndizen dhe fiken sipas politikës së ditës, atëherë Shqipëria do të ketë argumente se Shqipëria po arrin rezultate domethënëse në luftën kundër korrupsionit”, thuhet më tej.
Kumbarët e Llallës
Gjermanët janë autorët e reformës në drejtësi dhe qëndrimet e “Deutsche Welle” deri diku reflektojnë qëndrimin e qeverisë gjermane. Përmes misionit Euralius gjermanët hartuan ligjet, ofruan ekspertizë dhe tani presin frytet e reformës në drejtësi. Por paralajmërimi i djeshëm se hetimet ndaj Llallës janë sinjal për politikën, tregon se ka pushtetarë që mund të shkojnë para drejtësisë. Por kohët e fundit janë dhënë sinjale se më të prekurit nga rënia e ish-kryeprokurorit janë kumbarët e tij.
Llalla ka pasur lidhje shumë të forta politike me njerëz të pushtetshëm dhe u ka shërbyer atyre duke mbyllur dosje hetimore e duke goditur politikanë të caktuar. Pra sinjalet janë se nëse Llalla shkon drejt rënies, ai mund të marrë me vete dhe njerëz të tjerë. “Deutsche Welle” e ka thënë qartë, se tani do ketë arrestime politikanësh dhe të gjithë i kanë sytë te kumbarët e ish-kryeprokurori, të cilin e kanë dërguar jashtë vendit për ta mbajtur sa më larg për çdo situatë të papritur.
Llalla shërbeu për 5 vite si kryeprokuror dhe nuk hetoi asnjë zyrtarë të lartë. Edhe Spiro Ksera që u dënua, ishte KLSH që e zbuloi. Në zyrën e tij ka pasur dosje për ish-ministra e ministra dhe të gjithë sot e bëjnë gjumin e qetë. Ish-kryeprokurori me shërbimet që ka kryer, duket se ka në dorë ata që fshihen pas tij dhe “kumbarët” kanë filluar që të shqetësohen./pamfleti