Loading...

S’do ta besoni se ku ka përfunduar statuja gjigante prej bronzi e Enver Hoxhës!

Pak ditë më parë në Shqipëri u shënua përvjetori i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës.

Po ku përfundoi statuja gjigante prej bronzi e Enver Hoxhës?

Sipas gazetarit gjerman Heinrich Thies, me bronzin e diktatorëve është derdhur shtatorja e Georg Christoph Lichtenberg.

Një vepër e realizuar nga skulptori shqiptar Fuat Dushku dhe vendosur në Göttingen, më datë 1 korrik 1992.

Gazetarja dhe pedagogia Jonila Godole, përmes një postimi në “Facebook”, bashkangjit linqet e gazetës dhe Muzeut të Göttingen.

Duke e konsideruar të pabesueshme, Godole citon një gazetare të “Deutsche Welles” dhe materialin e gjetur në faqet e mësipërme.

“Me bronzin e Enverit, Stalinit dhe Leninit u ngrit statuja e fizikanit dhe filozofit të shquar gjerman, G.C.Lichtenberg’, tregoi gazetarja e ‘Deutsche Welle’, Vilma FilajBallvora në aktivitetin për nder të 20 shkurtit 1991 dhe rolit të gazetarëve.

Bëra një kërkim të vogël te mediat gjermane dhe gjeta këto informacione: Statuja 1.5 m e lartë u vendos në qytetin Göttingen në datën 1 korrik 1992, me rastin e 250-vjetorit të lindjes së filozofit.

Statuja i ishte porositur dhe paguar nga botuesi Tete Böttger te skulptori shqiptar Fuat Dushku (1930-2002), i cili e gdhendi atë, duke përdorur bronzin e statujave të Enver Hoxhes, Stalinit dhe Leninit. Tragjikomike! – Një personalitet si Lichtenberg derdhet në bronzin e tri prej figurave më famëkeqe të historisë botërore.

Kush i menaxhonte copat e statujave të rrëzuara? Mund t’i kishim ricikluar vetë dhe ngritur dikur një memorial gjigant në emër të demokracisë, që Enveri me shokë nuk e deshën kurrë të vendosej… ose një memorial kundër tij”, shkruan Godole, e cila e ka vizituar shpesh jo vetëm qytetin, por edhe monumentin e filozofit, pa e ditur origjinën e tij.

NGA BRONZI SHQIPTAR SI U KTHYE ENVER HOXHA NË KURRIZDALIN LICHTENBERG

I adhuruar dje, i urryer sot, njerëzit po i hedhin idhujt e vjetër prej bronzi dhe guri nga piedestali dhe po i presin në një mijë copë. Dje Zot, sot një hekurishte. Ky ishte fati i diktatorit të republikës marksiste terroriste të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Kudo, në të gjithë vendin u vendosën monumentet e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë. Dymbëdhjetë metra lartësi, statuja e tij praruar shquhej prej të gjitha rrugëve të Tiranës. Është e qartë se mbetjet e tiranit nuk janë thjesht hedhur. Materiali është tepër i çmuar. Megjithatë, nuk ndodh çdo ditë që mbetjet e sundimtarit të rënë, thjesht të shkrihen dhe me to të krijohet një memorial i ri.

Sidomos kur një diktator shqiptar bëhet një intelektual gjerman. Botuesi nga Göttingeni, Tete Böttger, i ra në gjurmë këtij lloj riciklimi monumentesh. Meqë shkrimtari i aforizmave dhe natyralisti Georg Christoph Lichtenberg do të bënte 250 vjeç më 1 korrik dhe meqë qyteti i tij i lindjes, Göttingen, deri më tani kishte bërë shumë pak për të përkujtuar zbuluesin me famë botërore, Boettger porositi një statujë të Lichtenberg në Shqipëri. Edhe pse atje thuajse mungonte gjithçka, nuk kishte mungesë bronzi.

Botuesi kishte zbuluar se atje gjendeshin reliktet e “heronjve të vjetër”, që nga Hoxha te Stalini, dhe nga ana tjetër mund të gjeje skulptorë të klasit të parë, që ishin në pritje për t’u dëshmuar artin e tyre, idhujve të rinj. Dhe kështu, Tete Boettger, i cili organizoi një ekspozitë të Horst Janssen në Tiranë, në vitin 1989 u takua me mjeshtrin shqiptar Fuad Dushku dhe ra në një marrëveshje me të. Veçanërisht për punën e tij të porositur, Böttger përktheu aforizmat e dijetarit në gjuhën kombëtare.

Për t’i dhënë skulptorit një koncept më të qartë të profesorit të Göttingenit, ai i prezantoi atij portrete të ndryshme, të aforistit gjuhëmprehtë. Boceti i parë i artistit ishte megjithatë zhgënjyes, raporton Albeu. “Një përzierje e Enver Hoxhës me Kumbarin”, kujton botuesi. Duart e tij ishin shumë të forta për një intelektual dhe shikimi i tij ishte tepër heroik.

Pas një pune këmbëngulëse bindëse, më në fund Dushku, i cili më parë kishte gdhendur vetëm heronj, ra dakord madje, t’i bënte edhe një gungë mendjendriturit gjerman. Ndërkohë, bronzi është pothuajse gati dhe prototipi në allçi ka marrë formë:

Tashmë në podium nuk qëndron më një sundimtar, por një xhuxh kurrizdalë me pantallona – Porositësi është i kënaqur. Studentët e Dushkut do t’i japin Lichtenbergit prekjen përfundimtare sepse vetë mjeshtri nuk është shëruar plotësisht nga një atak. Së shpejti, monumenti do të sillet me një kamion nga Shqipëria në Hanover.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com