Rikthehet Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Jazz (xhaz), nga datat 24 deri 28 korrik për publikun shqiptar në Hotel “Rogner” në Tiranë dhe në Apolloni në Fier.
Në këtë edicion të shtatë të festivalit marrin pjesë rreth dhjetë grupe me artistë nga Turqia, Greqia, Bosnje-Hercegovina, Spanja, Austria, Izraeli, Italia, SHBA-ja, Belgjika dhe Shqipëria.
Larmishmëri stilesh edhe individualitetesh artistike rikthehen në edicionin e shtatë të Festivalit të Jazz-it në Tiranë. Jazz kualitativ, workshope, por edhe shumë surpriza të tjera do të shoqërojnë publikun e Tiranës dhe të Fierit.
Organizatori i Festivalit Besim Petrela flet për dhjetë grupet e artistëve vendas dhe të huaj, nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të përcjellin për spektatorin emocione me muzikën e tyre.
Drejtori artistik Gent Rushi shpjegon arsyet, se përse ky festival jazz-i nuk është vetëm për publikun, por edhe për artistët. Për të është e vështirë që të gjejë fjalët e duhura për të shpjeguar rëndësinë e grupeve, sepse muzika e tyre flet vetë. /atsh