Në emër të Bundestagut gjeman, deputeti Nikolas Label tha se Shqipëria e ka marrë seriozisht rrugën drejt Bashkimit Europian dhe për këtë të fundit, mjafton të shohësh rezultatet pozitive nga procesi i Vetting-ut dhe Reforma në Drejtësi.
Ndërsa foli për sfidat që e presin vendin tonë gjatë këtij viti e deri në pranverën e 2019-ës, Label tha se për Gjermaninë dhe vendet e BE-së, prioritet mbeten Reforma e nisur në Drejtësi, Reforma Zgjedhore si dhe stabiliteti politik i vendit.
“Se sa seriozisht e ka marrë Shqipëria procesin e Bashkimit Europian, për këtë mjafton të shikosh vetëm rezultatet e Reformës në Drejtësi dhe në procesin e Vetingut. Shqipëria e ka marrë shumë seriozisht, edhe ne gjithashtu. Ne përfaqësohemi në këtë fushë me 80 ekspertë ndërkombëtarë që kanë të drejtë të jenë këtu, të mbikëqyrin procesin e reformës, por edhe të influencojnë në të, lidhur me kalimin e gjyqtarëve/gjyqtareve, të prokurorëve/ të prokuroreve. Reforma në Drejtësi dhe procesi i Vetingut është një gur i rëndësishëm themeli, në mënyrë që të dalin rezultatet e duhura dhe performanca e Shqipërisë të jetë e qëndrueshme”, – tha deputeti gjerman.
Sipas tij, viti 2019 përbën një vit të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.
“Viti 2019 është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, vit për të cilin po punojmë së bashku për fillimin e negociatave në Bashkimin Europian, por është një vit i mbushur plot me sfida. Për përballimin e këtyre sfidave jemi duke punuar së bashku me Shqipërisë, me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, në mënyrë që zhvillimet pozitive të konstatohen në zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik, Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, por edhe në Reformën Zgjedhore, e cila për Gjermaninë, ka një rëndësi të madhe dhe përfshirjen në Reformën e Drejtësisë të kërkesave të Kopenhagenit dhe mendoj se deri tani Shqipëria është në një rrugë të mirë për ecurinë drejt perspektivës europiane”, – vlerësoi Label lidhur me procesin nëpër të cilin vendi ynë do të duhet të kalojë.
Për deputetin gjerman, Europa në vetvete është bindje, ndaj edhe Shqipërisë i duhet të punojë me ritme të shpejta.
“Europa është një bindje dhe për të krijuar këtë bindje nuk duhet bindur vetëm Gjermania, por të gjitha shtetet anëtare për dhënien e perspektivës europiane për Shqipërinë dhe për këtë është përcaktuar plan kohor, i cili përkon me pranverën e vitit 2019. Do të jetë Komision Europian që do të paraqesë një raport lidhur me Shqipërinë dhe në varësi të këtij progresraporti do të merret edhe vendimi në muajt e mëtejshëm të pranverës 2019”, -përfundoi ai.atsh