Zëdhënësi i Qeverisë Greke Dhimitris Tzanakopoulos dha sot të dhëna analitike për 10 zjarret e përmasave të mëdha në Athinë dhe për forcat në terren që përpiqen për shuarjen e tyre.
Në këtë moment, sipas zëdhënësit, i gjithë aparati shtetëror Grek është vënë në lëvizje për të përballuar pasojat e zjarreve katastrofike dhe për shuarjen e tyre.
Gjendja vazhdon të jetë kritike. Përhapja e rrufeshme e zjarreve që u shfaqën në 14 vatra
njëkohësisht dhe paralelisht në tre fronte në Atikën Lindore, si dhe erërat e fuqishme, krijuan kushte shumë të vështira për forcat tokësore dhe ajrore të zjarrfikësve.
Për përballimin e pasojave, janë në gjendje gatishmërie 38 autoambulanca, 4 njësi shëndetësore të lëvizshme dhe 2 njësi të posaçme për përballimin e katastrofave. Në spitalet e Athinës, deri tani janë transportuar 156 persona, nga të cilët 11 janë në gjëndje më të rëndë, gjithashtu edhe 16 fëmijë por jashtë rrezikut për jetën.
Për fat të keq, deri tani nga zjarret kanë gjetur vdekjen 50 persona. Policia dhe Forcat Zjarrfikëse vazhdojnë rregjistrimin e dëmeve dhe të personave që humbën jetën.
Pak më përpara, deklaroi zëdhënësi, Kryeministri Aleksis Cipras pati një telefonatë me
Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, gjatë së cilës, Juncker shprehu solidaritetin e Komisionit për Greqinë dhe shtoi se Komisioni është i gatshëm për të vënë në dispozicion mjete dhe burime financiare që të përballohet gjendja e jashtëzakonshme nga zjarret.
Kryeministri, sipas zëdhënësit qeveritar, informoi Presidentin e KE-së Juncker për zhvillimet më të fundit në lidhje me zjarret.
Kryeministri Cipras, pati telefonata me Presidentin e Qipros Nikos Anastasiadhi, me
Kryeministrin e Bullgarisë Bojko Borisov, ndërsa më vonë do të komunikojë në telefon me
Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentin e Francës Emmanuel Macron. /atsh