Loading...

Procedura e kalimit të pronësisë së banesave të ndërtuara deri më 1991

Në një nga vendimet e qeverisë, të miratuara në mbledhjen e së mërkurës, është përcaktuar procedura e kalimit të pronësisë e të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 1991.

Kështu, në vendim thuhet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi dispozitat e përgjithshme, procedurat dhe afatet e kalimit të pronësisë, si dhe rregullime të posaçme.

Vendimi flet për ndërtimet e ngritura deri më 10.08.1991 dhe trojet funksionale të tyre, për të cilat nuk ka akte të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193, të Kodit Civil. Përjashtimisht, nëse për truallin ka dokumentacion pronësie, procedurat e kalimit të pronësisë kryhen vetëm për ndërtesën. Në kuptim të pikës 1, konsiderohen objekt i trajtimit të këtij vendimi ato ndërtime: që u mungon akti i fitimit të pronësisë; të cilat, nga pikëpamja ndërtimore janë të përfunduara, me mure dhe me mbulesë; të cilat nuk janë ndërtime pa leje, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të nenit 3, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Sipas dispozitave të vendosura në vendimin e sotëm, truall funksional konsiderohet sipërfaqja e tokës nën ndërtesë, së bashku me oborrin përreth saj, që posedohet, efektivisht, nga subjekti kërkues ndërsa ALUIZNI është institucioni i autorizuar për kryerjen e procedurave administrative.

Kalimi i pronësisë së ndërtimit dhe truallit funksional, për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë, kryhet pa pagesë, nëpërmjet dokumentit, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi.

Lidhur me procedurat e kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, fillojnë me kërkesë të subjektit/subjekteve, sipas modelit të kërkesës të miratuar me këtë vendim, pavarësisht nëse zona kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik.

Gjatë procesit të regjistrimit fillestar apo përmirësimit/përditësimit të zonës kadastrale. Kjo do të thotë se me kërkesë të regjistruesit apo të çdo subjekti të ngarkuar nga Kryeregjistruesi, njoftohet ALUIZNI për verifikimin e kushteve dhe vendimmarrjen.

Po kështu, procedurat e kalimit të pronësisë behën me kërkesë të institucionit shtetëror, në rastet e shpronësimit për shkak të zbatimit të projekteve publike, pavarësisht nëse zona kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik.

ALUIZNI evidenton në terren ndërtimin dhe truallin funksional, duke verifikuar, paraprakisht, bazën e të dhënave të ndërtimeve pa leje, nëse për të është paraqitur aplikim për legalizim. Gjatë evidentimit në terren verifikohet edhe posedimi efektiv i ndërtimit nga subjekti përfitues. Përjashtimisht, në rastin kur kërkesa bëhet sipas shkronjës “c”, të pikës 6, procedurat e evidentimit duhet të përfundojnë brenda 10 ditëve.

Ndërkaq, të dhënat e kërkesës dhe të evidentimit në terren bëhen publike për 30 ditë, në ambientet e njësisë administrative ku gjendet pasuria, në ambientet e ALUIZNI-t, ZVRPP-së si dhe në faqet përkatëse “web”.

Si rregull, nëse për ndërtimin është aplikuar për legalizim si ndërtim pa leje, ai përjashtohet nga fusha e zbatimit të këtij vendimi dhe trajtohet sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Përjashtim bën rasti kur nga korrespondenca e ALUIZNI-t me organet kompetente (të vetëqeverisjes vendore dhe Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit – AQTN) apo nga dokumentacioni i paraqitur nga kërkuesi arrihet të provohet se ndërtesa është ndërtuar përpara datës 10.8.1991.

Në vendim thuhet se për ndërtimet e paregjistruara ose të regjistruara pa titull pronësie, për të cilat nuk është paraqitur aplikim për legalizim, ALUIZNI verifikon nëse ndërtimi është i pranishëm në produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë të vitit 1994. Nëse ndërtimi ndodhet në territor të papërfshirë në këtë fotografim, ALUIZNI verifikon me radhë produktet e fotografimeve ajrore të viteve 1999, 2001 dhe në fund, atë të vitit 2007.

Nëse ndërtimi është i pranishëm në, të paktën, njërin prej materialeve fotografike të mësipërme, ai prezumohet se është ndërtuar para datës 10.8.1991 dhe trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi.

Krahas procedurave të mësipërme, brenda 20 ditëve nga konstatimi i gjendjes ndërtimore në terren, ALUIZNI u kërkon informacion për pasuritë truall dhe ndërtesë: ZVRPP-së, për të verifikuar nëse është regjistruar më parë ose jo titull pronësie, ATP-së, për të verifikuar nëse është marrë ose jo vendim për kthimin e pronës. Ndërkohë që është ALUIZNI që vendos rrëzimin e kërkesës.

Për vendimin e plotë të qeverisë dhe për detaje të mëtejshme mund të klikoni në klikun e mëposhtëm:

https://kryeministria.al/newsroom/29887-2//atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com