Politika në përgjithësi nuk i do gjykatat dhe në veçanti Gjykatën Kushtetuese, ku secili lider politik ka pasur dhe ka problemet e veta me të. Prandaj të gjithë duan “varrin” e kësaj gjykate.
Sali Berisha pavarësisht se qahet dhe derdh “lotë” se Gjykata Kushtetuese është shuar nga Vettingu i Ramës, sa është katandisur në dy anëtarë, ka pasur probleme të mëdha me këtë gjykatë.
Madje e ka akuzuar dhe si të ndikuar nga forca të huaja dhe rasti ka qënë me rrëzimin që Kushtetuesja, në mënyrë unanime i bëri marrëveshjes së “Detit” me Greqinë të nënshkruar nga ministrat e jashtëm respektivë të asaj kohe Basha dhe Bakojanis.
Kushtetuesja e quajti madje tradhëti kombëtare, në termat juridikë, pasi ka falur territor të Shqipërisë vendit fqinj Greqisë dhe jo pak por 350 km katror territor detar.
Ndaj Berisha e akuzoi Kushtetuesen se ka marrë para nga Erdogan, Edi Rama dhe tërë kundërshtarët sipas tij të kësaj marrëveshjeje. Tani qahet se është shkatërruar Gjykata Kushtetuese nga Edi Rama.
Për të vetmen gjë që ka të drejtë jo vetëm Berisha por kushdo që shfaq shqetësim për shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese është se Edi Rama është i interesuar që Gjykata Kushtetuese të qëndrojë sëpaku dhe dy vite pa u ngritur.
Pasi për “shuarjen” e saj kanë menduar vetëm anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që të vendosur aty me vendim politik nga Berisha dhe Meta për t’i shërbyer klientelës e kishin trashur aq shumë zullumin sa mbetën në “rrjetën” e Vettingut.
Dhe kryeministri Edi Rama po e shfrytëzon me shumë efikasitet “shuarjen” e Kushtetueses, madje shumë vonë do të marrë ndonjë masë për të ngritur në këmbë një gjykatë të tillë që të jetë efektive dhe të japë vendime për çështjet që janë në ankimim.
Që Rama është i interesuar për të pasur një gjykatë Kushtetuese vetëm me dy vetë u pa dhe në debatin për kalimin e ligjit të magjistraturës.
Të kishte qënë ndonjë ligj për dhënie koncesioni, Rama do ti kishte “blerë” ata pesë deputetë që i duheshin për të votuar ligjin me shumicë të cilësuar. Por ishte tërësisht i ç’interesuar për këtë ligj. Dhe pse?
Në Kushtetuese është ankimimi i ish pronarëve, të cilët kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Trajtimin e Pronave, të miratuar dhe që hyn në fuqi plotësisht për të mbyllur trajtimin e pronave në vitin 2019.
Ish Pronarët e kanë kundërshtuar me forcë ligjin e miratuar nga qeveria sidomos në përcaktimin në mënyrë të ndryshme të standardit të kompensimit të pronave.
Pronarët kanë kundërshtuar dhe ankimuar në Kushtetuese ligjin nr.133 të vitit 2015 “Për trajtimin e pronës”, duke argumentuar se ligji ka efekte prapavepruese dhe për vendimet përfundimtare të dhëna është bazuar në kriteret e ligjeve të mëparshme që nuk janë ekzekutuar nga autoritete e brendshme, duke shkelur parimin e sigurisë juridike.
Ndërkohë që sipas nenit 6 të ligjit, e njëjta pronë vlerësohet me dy standarte të ndryshme pasi për pronarët që kanë përfituar kthim në natyrë për një pjesë të pronës, për pjesën tjetër që kompensohet përfitojnë një vlerë deri në 100 herë më të vogël për shkak të metodologjisë së ndryshuar të vlerësimit.
Thelbi i ligjit është neni 6, këmbëngulin ish pronarët, nen i cili në arsyetimin e ligjvënësit ka pasur vetëm një qëllim; si të ulet në mënyrë maksimale detyrimi që shteti shqiptar ka kundrejt pronarëve. Ky është thelbi i nenit 6, i cili përcakton se kompensimi do të bëhet sipas zërit kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, që i bie para 50 viteve. Ky është një proces, i cili ul dhe zhbën detyrimin e shtetit shqiptar kundrejt pronarëve.
Ky ka qenë qëllimi, pas të cilit shteti mendon se duhet të mbyllë njëherë e mirë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, për të cilin pronarët kanë ankimuar.
Ligji nga njera anë dhunon parimin e proporcionalitetit dhe nga ana tjetër nuk cënon interesin publik.
Por Qeveria shqiptare në këtë ligj që ka miratuar, ka kërkuar që çështjet e Gjykatës së Strasburgut, të kthehen në Shqipëri dhe të trajtohen sipas këtij ligji.
Madje disa herë dhe përmes letrave zyrtare të dërguar nga qeveria shqiptare por dhe përmes Avokatit të Shtetit, Rama i është lutur gjykatës së Strasburgut që t’i bllokojnë këto 86 dosje, pasi ligji i miratuar gjithçka për ish pronarët dhe kompensimin e tyre.
Sot në Strasburg janë mbi 390 dosje, nga të cilat janë këto 86, për të cilat pritet vendimi. Shuma që ka pranuar ish-ministri i Drejtësisë, por edhe Avokati i Shtetit, që vlerëson këto vendime gjykohet të jetë në trendin e mbi 400 milionë eurove. Por ajo kalon vlerën e shumë miliardave.
“Ne presim që të bëhet shpallja e këtyre vendimeve. Në momentin që, qoftë edhe në një rast të vetëm të këtyre 86 vendimeve do të shikohet që është rrëzuar pretendimi i qeverisë shqiptare që toka e pronarit të vlerësohet si tokë bujqësore, (se e tillë ka qenë në kohën e shpronësimit dhe jo si tokë truall që është sot), atëherë, automatikisht ne na lind e drejta që t’i ridrejtohemi edhe një herë Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar shfuqizimin e nenit 6 të ligjit që do të thotë realisht, rrëzimi i komplet ligjit”, nënvizojnë pronarët.
“Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim, do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6 të këtij ligji, në përputhje me procedurën e mëposhtme: a) nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh se sa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar; b) nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji”, thuhet në ligjin e qeverisë.
Duke kompensuar pronarët jo për tokë truall por për tokë bujqësore dhe kullota me çmimin në momentin e shpronësimit që mund të ketë qënë viti 1950-1960 e në vijim, qeveria shqiptare u heq pronarëve 100-fishin e vlerës së pronës, e përkthyer në vlerë monetare, miliarda euro.
Ndaj ish pronarët i janë drejtuar Kushtetueses dhe presin me padurim që kjo gjykatë të vendosë për kompensimin e pronave të tyre, që qeveria shqiptare me të padrejtë ua ka ulur vlerën në shuma marramendëse.
Ndërkohë që Edi Rama është më se i interesuar dhe do punojë fort që Gjykata Kushtetuese të mos ngrihet të paktën për dy vite në mënyrë që ligji për trajtimin e pronave të zbatohet plotësisht dhe t’u rrëmbejë me të padrejtë përonarëve miliarda euro kompensim që u takon.
Bllokimi i Kushtetueses u heq të drejtën ish pronarëve që të ankimojnë dhe në Gjykatën e Strasburgut, pasi që një çështje të shkojë në Strasburg, duhet të kalojë të gjitha nivelet e gjykimit në gjykatat shqiptare.
Rama po përdor pronat e ish pronarëve si “dhurata” për oligarkët që i shërbejnë
Pronarët nënvizojnë se sipas ligjit nr.133 të vitit 2015 për kompensimin e pronarëve qeveria do të përdorë pronat shtetërore nëpërmjet shitjes së tyre dhe kalimin e fondeve financiare në favor të pronarëve.
Por, praktikisht qeveria është duke falur mijra metra katrore tokë në favor të individëve ose kompanive private.
Me ligjin nr.56/2017 datë 13.04.2017 (FZ 102/2017, f.5664), Parlamenti miratoi një ligj për negocimin e një marrëveshje ndërmjet shtetit shqiptar dhe një kompanie private të huaj për ndërtimin e njëqendre biznesitë lartë.
Në këtë rast qeveria i transferon kompanisë private në pronësi dhe pa kosto një sipërfaqe 25,000 m2 në qytetin e Tiranës dhe përjashtim nga të gjitha taksat për 15 vjet.
Ky investim nuk konsiderohet për interes publik dhe dhënia e këtij bonusi për një kompani private është i pajustifikueshëm. Ky fakt tregon se qeveria ka patur gjithmonë burime për të ekzekutuar vendimet për kompensimin e pronarëve, por transaksione të tilla kanë penguar implementimin e ligjeve të mëparshme, por edhe të ligjit të ri 133/2015.
Kompensimi i parashikuar nga ligji shqiptar është aq i ulët për secilin prej kërkuesve sa është praktikisht qesharak. Gjithashtu, siç e kemi thënë në komentet kryesore, autoritetet shqiptare kishin njohur një herë me vendime përfundimtare detyrimin e tyre ndaj kërkuesve për shpërblim të plotë sipas tregut, në bazë të legjislacionit të mëparshëm.
Nga kjo pikëpamje, pozita e kërkuesve tone është shumë më e fortë dhe e qartë se ajo e kërkuesve në çështjen “Preite”.
Sipas vendimit “Brumarescu k. Rumanisë”, kur ligji i brendshëm lejon vetëm një kompensim të pjesshëm, atëhere Gjykata duhet të jape shpërblim sipas nenit 41.
Theksojmë se shpërblimi që akordon formula e re në raport me ligjin e zbatueshëm kur janë marrë vendimet, varion nga 1/30 deri në 1/100 të vlerës. Pra jemi hapur në gjendjen e një shkelje të neneve 6, 13 dhe nenit 1 të Protokollit 1 në të gjitha çështjet që përfaqësojmë.
Ligji nr.133 i viti 2015 është një ndërhyrje e qartë ligjore nga pushteti legjislativ dhe kjo është konstatuar në kundërshtim me nenin 6 dhe 1 të Konventës dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 nga Gjykata Europiane në disa çështje si “Scordino k. Italisë” (GC-2005) dhe së fundi në “Preite k. Italisë”.
Ligje të tilla janë konsideruar antikushtetuese nga disa Gjykata Kushtetuese në Evropë, siç është Gjykata Kushtetuese italiane në vendimet 348 dhe 349 datë 22 Tetor 2007, duke konstatuar se shkalla e ulët e kompensimit ishte në kundërshtim me nenin 1 të Protokollit nr.1 të Konventës. Nëse dispozitat italiane ishin në shkelje, dispozitat e ligjit shqiptar nr.133/2015 janë të tilla në mënyrë të qartë dhe të hapur./Pamfleti