Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës ka dështuar që të mbajë procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese në të gjitha degët e vendit.
Reagimet e strukturave për riorganizmin në rrethe kanë qenë zhgënjyese.
Kjo për shkak se strukturat, pra anëtarësia nuk janë mbledhur për të nisur procesin, duke injoruar një urdhër të nxjerrë nga Basha dhe njëherësh duke treguar se nuk janë mbështetës të tij.
Me datë 11.05.2018, kryetari i PD –së Lulzim Basha ka nxjerrë një urdhër në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Afati i fundit ishte 30 qershori.
Por, ashtu si në Korçë, Durrës, Shkodër, Malësi e Madhe e në mjaft rrethe të tjera, ku ka dështuar riorganizimi, edhe në rrethin e Dibrës, kemi një situatë të njëjtë.
Në degën e PD, Dibër nuk është kryer asnjë procedurë dhe jo më të mbahen zgjedhjet. Kujtojmë se kryetari i degës së PD –së Dibër, ka dhënë dorëheqjen dhe në vend të tij është komanduar Naim Gazidede, për të filluar zgjedhjet.
Por, strukturat demokrate të qytetit verilindor e kanë bojkotuar këtë proces dhe për pasojë riorganizimi ka dështuar.
Sinjalet se baza demokrate e Dibrës, është e zhgënjyer nga Lulzim Basha, kanë ardhur që më herët.
Një mbledhje në degën Partisë Demokratike në Dibër, e mbajtur pak ditë më parë ka përfunduar me dhunë fizike.
Burime thanë se Sekretari i Degës së PD në Dibër, Shkëlzen Qoka, ka goditur deputetin e zonës Xhemal Gjunkshi.
Pas këtij veprimi ka ardhur edhe urdhëri i kreut të PD –së Lulzim Basha, për shkarkimin e sekretarit Shkëlzen Qoka. Urdhëri është zbatuar nga deputeti Xhemal Gjunkshi dhe Qoka u zëvendësua me Luan Hakën.
Në këto rrethana, duket qartë se PD e Dibrës është jashtë kontrollit të Bashës, i cili ka zgjedhur që ta mbajë kontrollin me urdhëra siç ishte ai për zgjedhjet dhe me shkarkimin e atyre që i dalin kundër./korrieri