Ka përfunduar faza e parë për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, në jug të vendit, që nisi në prill të këtij viti.
Vendimi për rindërtimin e kishës erdhi si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të komunitetit të fshatit Dhërmi për kthimin siç ishte përpara shembjes në vitin 1968 nga regjimi i kohës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe me mbështetjen e komunitetit u angazhua për rindërtimin e strukturës së jashtme të të kishës- muret, çatinë dhe pjesën e këmbanores.
Kisha e Shën Thanasit daton në vitin 1671 dhe ka qenë e pozicionuar në krye të fshatit Dhërmi. Ndërtesa karakterizohet nga mure të rrafshët që përfundojnë me kornizë të drejtë nën çati. Këndi i drejtë realizohet nëpërmjet dy rrasave të gurit të mbivendosura.
Në vitin 1963 kisha u shpall monument kulture me vendim të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, që u mbështet edhe nga një vendim i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në vitin 1967.
Por, vetëm një vit më vone Kisha e Shën Thanasit u hoq nga lista e monumenteve dhe në vitin 1969 u shemb.
Rindërtimi i Kishës së Shën Thanasit është pjesë e ndërhyrjeve që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërmarrë gjatë këtij viti për rikualifikimin e fshatrave Vuno dhe Dhërmi për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.
Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është që jugu të kthehet në destinacion turizmi jo vetëm për detin, por edhe për trashëgiminë historike dhe kulturore. /atsh