Loading...

Pas zvarritjeve në Itali, audio-përgjimi i vëllait të Xhafajt shkon në Britani, çfarë kërkon prokuroria

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që të dërgojë në Mbretërinë e Bashkuar audiopërgjimin e publikuar nga PD-ja për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Shkak për këtë ndryshim kursi të organit të akuzës së Krimeve të Rënda, është bërë procedura e tejzgjatur e përgjigjes së letërporosisë së dërguar në Itali për audiopërgjimin. Burime për Panoramën thonë se përgjigjja e britanikëve mund të jetë më e shpejtë në lidhje me audio-përgjimin, ndonëse mbi të është ndërhyrë apo është i manipuluar ose jo.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda e dërgoi në Itali audiopërgjimin mbi vëllanë e ministrit Xhafaj. Në këtë audiopërgjim pretendohet se Agron Xhafaj flet me një person tjetër, të identifikuar si Albert Veliu.
Ky i fundit, i kërkon atij t’i sigurojë një sasi kanabisi për ta trafikuar jashtë vendit. Duke qenë se ka dyshime se Agron Xhafaj mund të jetë përfshirë në trafik narkotikësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon verifikimin pasuror të tij në Shqipëri.
HETIMI
Për Agron Xhafajn ka një vendim penal nga gjykata italiane dhe ai u është dorëzuar autoriteteve atje, pas sulmeve të njëpasnjëshme të PD-së. Nga ana tjetër, Albet Veliu, i cilësuar si dëshmitari X, pretendon se e njeh Xhafajn që në Itali, para shumë vitesh dhe pasi ai ra në burg, Agron Xhafaj nuk u interesua më për të.
Veliu gjendet në Kosovë, kur u ndalua para disa javësh dhe është në proces azili politik. Deri më tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë thirrur për dëshmi Albert Veliu, i njohur si “Dëshmitari X” në video, dy deputetët e PDsë, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si edhe Gazment Bardhi.
Gjithashtu, në Prokurori është pyetur edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili mendohet se ka kryer përgjimin. Të dhëna për “Ermalin” ka dhënë vetëm Albert Veliu dhe në bazë të të dhënave të tij po kryhen verifikimet. Më herët, në Prokurori ka qenë edhe vëllai i ministrit Xhafaj, që ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka lënë një regjistrim të zërit për krahasim me përgjimin. Agron Xhafaj pretendon se zëri nuk është i tiji dhe se përgjimi i publikuar nga PD-ja është montazh. Ai është nisur drejt Italisë, ku ka shkuar me avokatin për të zgjidhur çështjen e dënimit në Itali.
PROCEDIMET
Kujtojmë se Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që të bashkojë dy çështjet për audio-regjistrimin. Kështu, kallëzimi i Agron Xhafajt për “kallëzim të rremë” ndaj tre zyrtarëve të PD-së në Prokurorinë e Tiranës iu bashkua procedimit të nisur kryesisht me akuzat e PD-së për përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj.
Nga ana tjetër, vazhdojnë kërkimet për personin e përmendur në përgjim, me emrin “Ermal”. Nuk dihet nëse ai është trafikant droge apo efektiv policie, por kërkimet për të vazhdojnë në Vlorë. Nga ana tjetër, Albert Veliu, personi kyç që mendohet të ketë kryer audio-përgjimin, gjendet ende në Kosovë, ku ka kërkuar strehim politik.
Autoritetet kosovare po bëjnë të gjitha procedurat e nevojshme sipas ligjeve në fuqi, për t’i garantuar azilin Veliut nëse provon se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ai u ndalua një muaj më parë në Shtime të Kosovës, së bashku me të birin. Nëse nuk provohet se në Shqipëri i rrezikohet jeta, Albert Veliu do të kthehet në Shqipëri.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com