Me 75 vota pro, mazhoranca miratoi të enjten e kaluar ligjin që i hap rrugën ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe shembjes së saj aktuale. I vetmi që guxoi të ngrinte zërin ishte Pandeli Majko, por edhe ai nuk guxoi të votonte kundër por u largua nga salla e Kuvendit në shenjë revolte.
Partia Socialiste do të matë forcat në 9 korrik, në sallën e Parlamentit, në përpjekje për të votuar një projektligj me 84 vota, i cili do të mundësojë zëvendësimin në një kohë të shpejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të veprimit të ligjit të Vetting-ut, me qëllim për të evituar rrëshqitjen e drejtësisë drejt kolapsit të plotë.
Bëhet fjalë për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjor për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ‘djegur’ nga Vetingu. Gjatë seancës së fundit plenare u miratuar kalendari i punimeve të Kuvendit deri në fund të këtij sesioni parlamentar, ku ndër të tjera është planifikuar miratimi i këtyre ndryshimeve në seancën e datës 9 korrik.
Llogaria e votave
Votimi për ligjin e teatrit konfirmoi se maxhoranca ka siguruar 79 vota në parlament. Që ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të miratohen, shumicës parlamentare i duhen edhe pesë vota në radhët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike e ka kushtëzuar votën e saj për këtë projektligj me shkarkimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe me aplikimin e votimit dhe të numërimit elektronik.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të prerë kundër projektligjit, me pretendimin se kjo nismë thellon kapjen e drejtësisë nga shumica. Disa ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se kishin nisur bisedimet mes grupeve parlamentare në përpjekje për të arritur një konsensus për votimin e ndryshimeve. Por, përplasjet e forta politike për çështjen e teatrit, e bëjnë edhe më të pamundur konsensusin politik për këtë projektligj.
Në këto kushte, 9 korriku do të jetë një provë si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën. Mazhoranca do të tentojë të sigurojë votat e domosdoshme për miratimin e projektligjit, ndërsa PD dhe LSI do të shtrëngojnë radhët, për të mos pasur rrjedhje votash. Mazhorancës i duhet që të sigurojë të paktën pesë vota në radhët e opozitës, para se ta hedhë projektligjin në votim, pasi nëse nisma rrëzohet, nuk mund të rikthehet për votim për një periudhë të gjatë kohore.
Nismat e tjera
Në datën 19 korrik, mazhoranca ka planifikuar të shqyrtojë në seancë edhe një projektligj të propozuar nga deputeti Pjerin Ndreu për disa ndryshime në Kodin Rrugor. Opozita nuk ka bërë asnjë koment për këto ndryshime, por nisma kërkon 84 vota që të miratohet. Po në seancën e 19 korrikut është planifikuar edhe miratimi i një projektligji për disa ndryshime në Kodin Ajror. Në datën 23 korrik është planifikuar miratimi i projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Nisma e propozuar nga deputeti Taulant Balla përcakton disa rregulla, kushte dhe procedura të reja, për arrestimin e deputetëve, duke reflektuar në Rregulloren e Kuvendit një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale. Ndryshimet parashikojnë që Prokuroria duhet të paraqesë prova kur t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit për një deputet, me qëllim për ta arrestuar. Ndryshimi parashikon që deputeti nuk mund të arrestohet duke u bazuar në dyshime të arsyeshme dhe indicie./korrieri