rajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Christian Panucci ka komentuar transferimin e yllit portugez Cristiano Ronaldo nga Reali i Madridit tek Juventus, i cilësuar si transferimi i shekullit.
Duke folur për “El Cope Partidazo”, ai analizoi përshtatjen e CR7 në kampionatin italian, dhe gjithashtu tregoi pengun e karrierës së tij.
Ai u shpreh se ka bërë gabimin më të madh në karrierë në momentin kur vendosi të largohej nga Reali i Madridit për t’u kthyer në Serinë A te Interi.
Panucci shprehu besim se ylli portugez do të shkëlqejë edhe në Itali, sepse “ai e ka Championsin në gjak”.
Sipas drejtuesit të stolit kuqezi, blerja e 33-vjeçarit ishte një zgjedhje e zgjuar jo vetëm për kampionët e Italisë, por që do t’i shërbejë imazhit të Serisë A, pasi të tjerë kampionë do të ndikohen për të luajtur në elitën e futbollit italian.
Panucci e komentoi si mëse normal entuziazmin e tifozëve dhe mediave në momentin e prezantimit të Cristiano Ronaldos, sepse më i miri në botë ka vajtur të luajë në Serinë A.
Sipas trajnerit, me largimin e trajnerit Zidan dhe të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, sezoni i ri mund të jetë mjaft i vështirë për Realin e Madridit, sepse klubi spanjoll nuk do ta ketë të lehtë ti zëvendësojë pasi fitoi Champions-in tre herë radhazi./atsh