Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.
Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.
Nuk po flasim për Orikun e lashtë, por atë të kohëve të sotme. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956 s’kish gjë prej gjëje përveç një poste policie. Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazëne Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”. Dalëngadalë punët ecën, kurse Pallati i Kulturës, një ngrehinë tipike e stilit sllav, u inaugurua më 15 gusht të 1960. Kështu u krijua Orikumi si qytet tipik socialist, me ndërtesa tipike dhe njerëz tipikë, oficerë, marinarë dhe familjet e tyre.
Me fundin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur baza u prish dhe banorët mbetën në ato dy katëshit e vjetër, që u ndërtuan fillimisht për ushtarakët rusë dhe kolegët e tyre shqiptarë, fytyra e qytetit ndryshoi. Nevoja i mësoi banorët që t’i faleshin emigracionit, ndërsa pjesa e mbetur rregulloi shtëpitë dhe mendoi për turizmin shtëpiak. Falë punës së paqme të kryetarëve të bashkive, u shtrua rruga deri te baza, që nuk u bë kurrë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë dhe sot ajo lidh vendin që nga fundi i Unazës së Re të qytetit dhe derisa përfundon në hyrje të Bazës Ushtarake të Pashalimanit në krahun jugor të Rrugës Nacionale Orikum- Pashaliman. U rregulluan kanalizimet dhe u rregullua bulevardi kryesor në qytet. Që sot gëlon nga të rinj dhe mijëra pushues nga vendi dhe të huaj.
Tani banorët e këtij qyteti i kënaqen plazhit të paanë, që shtrihet nga pranë Bazës dhe vijon deri buzë qytetit, ku një rreth pallatesh të tëra e kanë ndryshuar Orikumin krejtësisht duke e bërë një nga atraksionet më të mëdha të pas bregdetit të Vlorës. Dhjetëra shitore të vogla, rrethojnë qytetin, ku mbizotërojnë merkatat e vogla, pijetoret dhe në barazim me këto kafe-internet. Në këto mjedise, fëmijët e brezave të tashmë të Orikumit, ardhur nga emigracioni mbajnë gjallë fantazinë kibernetike dhe përcjellin trendin e moshës së tyre, që e ka bërë sërish të vjetër qytetin vogëlan.