Një faqe e historisë do të shkruhet. Ekipi i Francës është në finalen e Botërorit 2018, në përpjekje për të rrëmbyer yllin e dytë, 20 vjet pas të parit, sot në Moskë kundër Kroacisë.
Një simbol për trajnerin Didier Deschamps, kapiten në vitin 1998, në qendër të fotos për të ngritur Kupën.
“Do të ishte e mrekullueshme nëse fitojmë, do të kishte një transferim pushteti. Është kjo gjeneratë e re që do të shkruajë historinë e saj. Ata do ta bëjnë Francën shumë krenare”, theksoi kampioni i botës në vitin 1998, Robert Pires.
“Përpara Blutë!”, ka inkurajuar ish-lojtari i Bluve, Michel Platini, i cili theksoi se do të ishte para televizorit në shtëpinë e tij me gjithë familjen dhe miqtë për të mbështetur Didier Deschamps dhe ekipin e Francës.
Sipas një sondazhi nga Ifop për JDD, 84% e francezëve mendojnë se Franca do të rrëmbejë yllin e dytë. Kjo përqindje arrin në 95% tek të interesuarit për futbollin.
Rreth 51% e francezëve konfirmojnë se Kupa e Botës ka ndikuar pozitivisht në moralin e tyre.
E vërteta do të dalë në fushën e lojës. Blutë do të përballen me kroatët dhe mesfushorët e tyre më të mirë Luka Modric dhe Ivan Rakitic, lojtarët e mëdhenj të Real Madrid dhe FC Barcelone./atsh