Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho deklaroi sot se pavarësisht deklaratave të qeverisë se është eleminuar kultivimi dhe trafikimi i drogës, Raporti i Antidrogës italiane pohon të kundërtën.
Sipas Spahos, “raporti i antidrogës italiane i heq maskën qeverisë shqiptare dhe nxjerrë në dritë të diellit situatën dramatike në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e drogës”.
“Pavarësisht deklaratave të qeverisë se është eleminuar kultivimi i kanabisit, në vitin 2017 është kapur në Itali 2 herë më shumë drogë se në 2016, që ishte vit rekord. Jemi vendi i parë i origjinës për kanabisin që i dërgohet Europës. Grupet kriminale shqiptare janë përhapur gjerësisht në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut. Paraja e grupeve kriminale është rritur ndjeshëm dhe ato pastrohen lehtësisht në Shqipëri”, u shpreh Spaho.
Kryetarja e Lëvizjes Socialite për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se, Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së kanabisit që ka destinacion tregjet europiane.
Sipas Kryemadhit, kultivimi i drogës po rritet dhe shqiptarët zënë vendin e parë në grupet kriminale. “Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të mariuanës dhe grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizatat kriminale për kontrollin e territorit. Shqiptarët zënë vendin e parë në grupet kriminale të narkotrafikut ku përfshihet dhe trafikimi i drogave të forta”, tha Kryemadhi.
Duke iu referuar raportit të antidrogës italiane , Kryemadhi tha se “raporti vlerëson se 94 raste të raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të larta në dekadat e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohet në vitin 2011 me 49 raste”./atsh