U hap sot në Prishtinë Panairi tashmë Tradicional, me punime dore, veshje kombëtare e ushqime tradicionale, Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Të pranishëm ishin zv/Kryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe zv/Kryeministri tjetër i Qeverisë së Kosovë, Fatmir Limaj.
Ministri Gashi theksoi se ky panair është një ndër aktivitetet e shumta që Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka organizuar për bashkatdhetarët. Ai u shpreh se MDIS-i çdoherë do t’i mbështesë aktivitete të tilla si ky panair, përmes të cilit ruhet identiteti kombëtar dhe tradita shqiptare.
Në këtë panair, po marrin pjesë me punimet e tyre më shumë se 70 prodhues e shoqata nga vendi e trevat e tjera shqiptare. Përmes këtij panairi, përmes punës së këtyre grave, bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.
Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 27 korrik.
Në kuadër të këtij aktiviteti, më 25 korrik do të mbahet sofra tradicionale me rapsodë të folklorit. /atsh