Pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për teatrin, aktori i njohur Robert Ndrenika me anë të një statusi i është kundërpërgjigjur duke theksuar se ka marrë besën e shqiptarit se teatri i ri do të bëhet duke mos cënuar asnjë centimetër katror nga territori i tij aktual.
Ndrenika ironizoi kreun demokrat duke e ftuar që të minojnë së bashku kullën që është ngritur me PPP te stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.
“I dashur Zoti Lulzim Basha! Të falënderoj shumë që më hape sytë dhe më rrite vigjilencën në lidhje me bisedimet që kam bërë me kryetarin e Bashkisë për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Siç të kam bërë me dije kam shkelur mbi veten time dhe kam rënë dakord që Teatri të ndërtohet me PPP (ndonëse dhe sot jam i bindur se Teatrin e ka për detyrë ta ndërtojë SHTETI SHQIPTAR) E kam bërë këtë dakordësi me kushtin që të mos jepet asnjë centimetër katror për ndërtim KULLASH dhe për këtë kam marrë BESËN e SHQIPTARIT. Në rast se shkelet kjo BESË (që nuk është e mundur) shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë në aksionin e vendosjes së minave për të rrëzuar KULLAT. Për ta vërtetuar që nesër jam i gatshëm të minojmë kullën që ka ngritur PPP ja te stadiumi Qemal Stafa. Sa për Piramidën ka më tepër se 10 vjet që shoku Fatos Nano (ish- Kryeministër) na e ka rekomanduar për Teatër por ajo nuk i plotëson kushtet. Personalisht (pak a shumë) i kam kryer detyrat por me vjen keq për të rinjtë që bien viktima të sherreve politike dhe që ka shumë gjasa ta ngrysin jetën artistike (ndoshta për 70 vjet të tjerë) tek i ashtuquajturi “Teatër Turbina” Me respekt Robert Ndrenika”, shkruan aktori i njohur në postimin e tij në Facebook. /atsh