Loading...

Ndërtimi i Teatrit, Veliaj: I tremben sepse çdo gjë që prekim, del më mirë

Rrugë, trotuare të reja, hapësira të gjelbra si dhe kënde çlodhëse për të gjitha grupmoshat, i janë shtuar bllokut të banimit në Tiranë të njohur si ish-Nisharaku, i cili mori një pamje krejtësisht të re.

Në mbyllje të punimeve në bllokun e Rr. “Sali Butka”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi dhe deputeti i PS, Besnik Baraj, theksoi sot se ajo që e çon përpara qytetin është ndryshimi dhe modernizimi.

“Gjërat ndryshojnë se preken. Në një qytet filozofia nuk mund të jetë mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por vër dorë, ndryshoje, rregulloje, modernizoje; kjo e çon para qytetin. E njëjta gjë edhe me historinë e teatrit. E dini pse thonë: mos ma prek? Sepse e dinë që po e prekëm ajo do dalë një vepër e mrekullueshme. E dinë se po vumë dorë, ajo do dalë një xhevahir. E dinë se po filluam ndërtimin e teatrit të ri, do të jemi të pandalshëm në modernizimin e Tiranës. Kjo është arsyeja e vërtetë. I tremben sepse çdo gjë që prekim me dorë, del më mirë”, – tha Veliaj.

Ai solli në vëmendje edhe disa shembuj të suksesshëm, ku falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës janë transformuar zona të ndryshme të qytetit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Mbaj mend kur filluam projektin te Liqeni, atëherë thoshin mos i prek romët se janë nga një komunitet i vyer. Unë nuk besoj se ka bashki që ka bërë më shumë për strehimin e romëve. I keni parë shtëpitë e reja nga Bregu i Lumit në Lanabregas, nga Lana në Shkozë, si çdo njeri normal? Këta që thoshin mos ma prek komunitetin, sot komuniteti rom është më mirë, pikërisht pse prekëm atë pjesë të djegur të parkut, që sot është kthyer në një pyll të jashtëzakonshëm te liqeni”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se edhe me Bulevardin e Ri, pavarësisht se në fillim pati një ngurim, sot Tirana ka një hapësirë ku qyteti mund të zhvillohet për 50 vitet e ardhshme.

“Nuk e di sa prej jush e kanë parë Bulevardin e Ri, se çfarë mrekullie është bërë aty. Në fillim edhe aty thoshin mos ma prek! Po pse? Ke ndërtuar pa leje aty ku do të kalojë Tirana e brezit të fëmijëve të sotëm. Tirana ka nevojë të rritet, se kur ata të bëhen mosha jonë do martohen, do krijojnë familje. Por, pikërisht se e prekëm atë pjesë të qytetit kemi sot për Tiranën një hapësirë të 50 viteve të ardhshme”, – tha kreu i bashkisë.

Krahas ndërtimit të 31 këndeve në kryeqytet, puna do të vijojë pa humbur kohë në çdo lagje të kryeqytetit, duke theksuar se nga ndërhyrjet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës do të përfitojnë si zonat urbane, ashtu edhe ato në periferi.

“Ka ardhur koha që bashkia të merret me çdo qoshe. Ashtu siç kemi nisur me këto 31 kënde, ashtu të shkojmë deri në cepin më të humbur të Tiranës, nga Shëngjergji në Ndroq, nga Krraba në Kashar”, tha ai dhe siguroi se periudha e thatë e verës do të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar infrastrukturën.

“Duke qenë se patëm një stinë shumë të gjatë me shira, do të sigurohemi që të shfrytëzojmë hapësirën e verës. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e unazës është shqepur për të bërë korsitë e reja të biçikletave buzë Lanës. Kjo është arsyeja pse shumë ndërhyrje nëpër lagje do t’i kryejmë gjatë verës”, – nënvizoi Veliaj.

Deputeti i PS, Besnik Baraj, përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën në këto tre vite në shërbim të qytetarëve.

“Të vish tre herë brenda një kohe të shkurtër në një bllok të tillë në një qytet me 1 milion banorë, do të thotë se bashkia punon, se është ditë e natë në punë. Një ekip nuk ecën përpara po nuk pati edhe një lider të shkëlqyer, i tillë është edhe Erion Veliaj. Unë e quaj fat për Tiranën që kemi një kryetar bashkie plot energji, fantazi dhe i dedikuar, që u shërben të gjithëve”, – u shpreh Bare.

Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, edhe si banore e kësaj lagjeje të kryeqytetit, vlerësoi ndërhyrjen e bërë nga Bashkia e Tiranës, për transformimin e jetës në këtë bllok banimi. “Si banore e lagjes them i pafshim hajrin këtij kryetari dhe të gjitha punëve sepse realisht na i ka ndryshuar jetën. Dalim çdo pasdite këtu me fëmijët dhe nuk shikojmë klubin më të afërt, por shikojmë parkun më të afërt ku të futemi. E falenderoj shumë kryetarin, por mbi të gjitha falenderoj çdo punonjës të bashkisë”, – deklaroi zv/ministrja  Çuçi.

 

Në një kohë relativisht të shkurtër është bërë i mundur krijimi i tre shesheve në këtë zonë të Njësisë 7, duke mundësuar  rikualifikim të plotë të bllokut urban. Sheshi i sotëm (Nr. 31) është një tjetër hapësirë rekreative që i shtohet Tiranës, duke ruajtur të njëjtën cilësi edhe në ndërhyrjet e tjera në lagje të ndryshme të kryeqytetit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com