Për herë të parë në shërbimin e kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është kryer zëvendësimi i valvulës mitrale me hapje shumë të vogël dhe nën videoskopi, ndërhyrje kjo, e para e këtij lloji jo vetëm për vendin tonë, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërhyrja është kryer për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është realizuar ajo që quhet “zëvendësimi i valvulës mitrale në miniinvaziv (me hapje shumë të vogël) dhe nën videoskopi”. Kjo do të thotë që kirurgu ka realizuar ndërhyrjen kirurgjikale jo nën vëzhgimin direkt, por nëpërmjet kamerave tredimensionale, të cilat lejojnë një shikueshmëri jashtëzakonisht të mirë të operacionit në brendësi pa e hapur pacientin, ose duke e hapur me prerje shumë të vogla.
Kjo risi bën që pacientët e operuar brenda tri apo katër ditëve të mund të shkojnë në shtëpi, pra të rehabilitohen në një kohë shumë të shkurtër pas ndërhyrjes.
“Kjo ndërhyrje sjell jo vetëm benefitet ose përfitimet nga rehabilitimi i shpejtë, nga eleminimi apo reduktimi i rrezikut operator, por njëkohësisht ka një efekt kozmetik të jashtëzakonshëm për pacientin. Këto janë operacione që i preferojmë tek pacientët e rinj, kryesisht të gjinisë femërore të cilat kanë edhe përfitimet më maksimale ndaj kirurgjisë së valvulës mitrale. Sigurisht, që në të ardhmen mendojmë ta shtrijmë edhe në kirurgjinë e valvulave të tjera dhe të bypass-it këtë procedurë kirurgjikale. Me përkushtimin e stafit të kirurgëve, mjekëve reanimatorë e anestezistë, infermierëve tanë, që punojnë dhe studiojnë për të sjellë risi në trajtimin e pacientëve në shërbimin tonë, në të ardhmen do të kemi të tjera arritje”, – është shprehur prof. Edvin Prifti, shef i shërbimit të Kardiokirugjisë në QSUT. /atsh