Loading...

Moda mesjetare e Shqiptarëve

Nga: Marin Mema

Për të dalluar në mesjetë një shqiptar fisnik, nga një i thjeshtë, mund të mjaftonte të shihnit ngjyrën e veshjes që mbante. Nëse stofi me të cilin është qepur veshja e tij do të kishte ngjyrë të kuqe, të gjëlbër ose manushaqe e mbyllur, atëherë ai do t’i përkiste shtresave të larta të shoqërisë. 

Po, e vërtetë, në shekujt XIV-XVI sikundër edhe sot veshja e shqiptarëve kishte konvencionet e saj dhe ishte përcaktuese e pozitës që ata gëzonin në jetë. Një studim të detajuar e mjaft profesional ka bërë për këtë çeshtje studiuesja e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare Andromaqi Gjergji. Vepra e saj është padyshim një pasuri e rralle e kulturës, trashëgimisë e traditës shqiptare në shekuj. 

Për fat të keq, të dhënat e disponuara, pikënisja e të cilave është shekulli XIV, na referojnë karakteristika të pakta mbi shtresat e gjera qytetare ose fshatare të popullsisë në atë periudhë. Pjesa më e madhe e të dhënave jep detaje mbi veshjet e shtresave të larta të fisnikëve ose të luftëtarëve.

Duke patur parasysh karakterin e prodhimit në periudhën e feudalizmit, materiali i veshjes për masat e gjera fshatare në këta shekuj realizohej kryesisht me lëndë që nxirreshin nga prodhimet bujqësore e blektorale siç ishin lëkura, leshi, liri, kërpi e mëndafshi, pra një cikël i ekonomisë së mbyllur shtëpiake. Leshi i përdorur në tekstilet e punuara në shtëpi nga gratë fshatare ishte kryesisht në ngjyrë natyrale, pra e bardhe, e zezë, e murme dhe bojë kafe, por përdoreshin edhe ngjyruesit bimorë. 

Kultivimi i mëndafshit gjatë shekujve të mesjetës përmendet në disa dokumente, duke filluar që nga vitet 1335, 1348 etj. Madje që në fund të shekullit XIV përmenden dogana të mëndafshit në Shkodër e në Drisht, gjë që dëshmon se mëndafshi edhe eksportohej.Ndërkohë, pëlhura më e vjetër prej kërpi e ruajtur deri më sot në vendin tonë daton në vitin 1373 dhe ështëpikërisht ajo që është përdorur gjerësisht në veshjet popullore deri në fillim të shekullit tonë, e në disa krahina edhe më vonë. 

Lloji i pëlhurës që përdorej për njërëzit e punës dhe të shërbimit kishte një cilësi modeste, me përbërje pambuku ose pambuk me lin. Ishte një pëlhurë e punuar dendur dhe me qëndrueshmëri të madhe. Ajo njihej me emrin “fustan” dhe pikërisht prej saj mendohet se e ka zanafillën e emërtesës fustani apo fustanella.

Ndryshe nga shtresa e njerëzve të punës, pëlhura e përdorur nga fisnikët ishte mjaft e shtrenjtë dhe luksoze dhe importohej nga Venediku dhe Raguza. Sikurse rezulton në mjaft dokumenta, për krerët e vendit përdoreshin stofrat më të mira, që njiheshin ndryshe si “panni rubei boni”, “panni de Cumis” apo “panni viridi”.

Tregëtia e tekstilit me Venedikun u ndërpre për një farë kohe në shekullin e XVI, për shkak të pushtimit osman, por përsëri nga fundi i shekullit vihet re se krahas mallrave që vinin nga lindja (Stambolli, Bursa etj), rifillon sjellja e mallrave edhe nga perëndimi. Gjithashtu edhe prodhimi në këtë kohë nuk ishte vetëm për nevoja shtëpiake por edhe për treg. Llojet e stofrave që kalonin në këtë kohë nga skela e Vlorës ishin kadifeja, mëndafshi, taftaja, astari apo edhe beze. Gjithashtu edhe lëkurë kafshësh të egra si dhelpra, ketra etj. Nuk duhet lënë pa përmëndur edhe përdorimi i veshjeve të mëndafshta e shpesh të punuara në ar. 

Pra, nga një vështrim i shkurtër historik mbi veshjet në Shqipëri në shekujt XIV-XVI i shkëputur nga vepra e studiueses  ndjerë Andromaqi Gjergji mund të themi se që atëherë ka patur një modë të zhvilluar e me jo pak tendenca perendimore ./Blitz.al/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com